Gazetar: Avni Tahiri
Gjithsej 38 zjarre në ambiente të hapura në të gjithë vendin, janë regjistruar deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Shtatë vatra zjarri janë ende aktive, katër janë vënë nën kontroll nga zjarrfikësit ndërsa 27 janë shuar tërësisht.
Zjarret aktive janë në disa rajone të vendit. Një sipërfaqe pyjore është përfshirë nga zjarri ndërmjet fshatit Bllacë dhe Gornjani, të Komunës së Çuçer Sandevës, ndërsa digjet edhe një pjesë e pyllit të përzier në Komunën e Prilepit. Dy vatra zjarri ka edhe në Komunën e Makedonski Brodit ku po digjet një pyll me lis. Një vatër tjetër është aktive në Komunën e Dojranit, ndërsa është raportuar për një zjarr aktiv edhe në Komunën e Çashkës, poshtë majës së Selanikut.
“Nën kontroll janë vënë katër zjarre, tre në Komunën e Makedonski Brodit dhe një në Komunën e Dellçevës ndersa janë shuar zjarret në Komunën e Shuto Orizarit – Vizbeg, si dhe në komunat Gjorçe Petrov, Gazi Babë, Aerodrom, Kisella Vodë, Studeniçan, Strumicë, Vasilevë, Veles, komunën e Kavadarit, në Karbincë në tri lokacione, në Dellçevë në dy lokacione, në Koçan në dy lokacione, Kumanovë, Kriva Pallankë në tre lokacione, Zhelinë, Tetovë në dy lokacione, Gostivar, Prilep dhe Dollnen”, njoftojnë nga QMK.
Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza dhe Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, dhe të dhënave nga stacionet automatike të llogaritjes së parametrave të temperaturës së ajrit, lagështisë, shpejtësisë dhe drejtimi të erës, në rrezik shumë të lartë nga zjarret është pjesa qendrore e shtetit dhe rrethina e qytetit të Kumanovës ndërsa rrezik i ulët nga zjarret është në zonat përreth malit Sharr.
“Bazuar në të dhënat nga stacionet automatike meteorologjike, në pikat me ngjyrë të kuqe paraqitet rrezik shumë i lartë nga zjarret dhe atë në pjesen qendrore të shtetit dhe rrethinës së qytetit të Kumanovës. Rrezik i lartë nga zjarret në pjesët e tjera të territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut ndërsa rrezik i ulët nga zjarret paraqitet në zonat përreth malit Sharr dhe në rajone të tjera më pak të rrezikuara”, thonë nga QMK.
Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të zjarreve, në shuarjen dhe luftën kundër zjarreve, përveç zjarrfikësve dhe shoqata të zjarrfikësve vullnetar, janë kyçur edhe ushtria e vendit. /Alsat.mk




