Kërkimi për 14-vjeçaren Vanja Gjorçevska, e cila u zhduk në Shkup, po hyn në ditën e katërt. Siç informoi dje MPB-ja, nga Interpoli është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar.
Nga Policia e Maqedonisë thonë se është marrë masa e menjëhershme për gjetjen e 14-vjeçares, janë përfshirë kapacitetet e plota të shërbimeve policore në nivelin më të lartë, janë zhvilluar një sërë bisedash me persona të afërt me të miturën dhe janë kontrolluar kamerat. Informacioni për vajzën e zhdukur është vendosur edhe në Stop-listën e pikave kufitare.
Vanja Gjorçevska është zhdukur mëngjesin e së hënës në Shkup, rrugës për në shkollën Pestaloci afër “Debar Malo”. Herën e fundit ajo është parë në bulevardin e “Aradhat Partizane” përballë “Broz Kafe”, prej ku iu humb çdo gjurmë.
“Vajza është e gjatë 175 centimetra dhe peshon 58 kilogramë. Ajo ka flokë kafe të errët, sy kafe, mban proteza në dhëmbët e sipërm dhe të poshtëm dhe ka një nishan në anën e djathtë të fytyrës.
Para zhdukjes ajo kishte veshur një bluzë blu, xhaketë të zezë, xhinse të zeza me xhepa anash, atlete të bardha me vija kafe. Ajo mbante një çantë shpine shkolle dhe një celular iPhone”, njoftoi MPB.
Përveç policisë, Vanj-n po e kërkojnë edhe shokët e saj të klasës, të cilët po i ngjitin fotot e saj në qytet, si dhe familjarë, të afërm e miq, klubi i gjuetisë dhe një numër i madh qytetarësh të përfshirë në kërkim.