Kryeinspektori Ridvan Berisha konfirmoi se mbi 700 kg që u kapën para disa ditësh kishin qenë të prishura, andaj edhe u asgjësuan, shkruan gazetametro.net.
“Për shkak të mos plotësimit të kushteve të transportit, pasi temperatua aktuale kishte qenë 22 gradë, ndërkaq mishi duhet të transportohej në 0 deri në 6 gradë Celsius”, ka thënë ai.
Berisha ka përgëzuar Policinë për punën pasi, sipas tij, ata po mundësojnë që të kontrollohen të gjitha automjetet që bartin mish.
Ndërkaq, pronarit të një mishtoreje po i pëlqen aksioni, pasi siç thotë ai, këto produkte jo cilësore kanë ndikuar që të prishet tregu.
“Mirë se na e kem mishin e mirë me 7 euro për kilogram, ndërkaq ato që konfiskohet është tjetër mish, me 3 a 4 euro kilogramin”, ka thënë pronari i mishtores Bifteku.
Por, qytetarët kanë një kritike ndaj Komunës së Ferizajt, ndonëse ajo ështe treguar më efektivja në kapjen e mishit të prishur.
“Për çfarë arsye Komuna nuk thotë ‘filan firmës ia morëm mishin’, që ta dimë ku po blejmë mish të prishur”, ka thënë një qytetar. Mirëpo kryeshefi i Inspektoratit ka thënë se ligji nuk e lejon që të tregohet se ku është kapur mishi i prishur.