Një grua 36-vjeçare, shtatzënë, humbi jetën gjatë transportimit nga Pogradeci drejt Tiranës, pasi ishte paraqitur në maternitetin e qytetit me hemorragji. Gjendja e saj kërkonte trajtim më të specializuar në kryeqytet.
Sipas familjarëve të 36-vjeçares, mjekët kërkuan që transporti drejt Tiranës të bëhej me helikopter në mesnatën e së dielës. Por, sipas tyre, helikopteri nuk u dërgua dhe familjarëve iu komunikua se mjeti ajror nuk mund të fluturonte gjatë natës.
Në këto kushte, gruaja u nis me ambulancë drejt Tiranës rreth orës 04:05, afro tre orë e gjysmë pasi ishte paraqitur në maternitetin e Pogradecit. Ajo nuk arriti dot në kryeqytet, pasi ndërroi jetë gjatë rrugës, pranë Elbasanit.
Rasti ka ngritur pikëpyetje lidhur me gatishmërinë e helikopterëve shqiptarë për të kryer fluturime gjatë natës, veçanërisht për emergjenca mjekësore.
Çfarë është deklaruar për fluturimet gjatë natës?
Në korrik të vitit 2024, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi se pilotët shqiptarë të helikopterëve Black Hawk po vijonin trajnimin edhe për fluturimet gjatë natës, përmes përdorimit të pajisjeve NVG.
Këto pajisje u mundësojnë pilotëve të operojnë në kushte të errësirës, duke përmirësuar orientimin dhe identifikimin e terrenit, ndërsa helikopterët Black Hawk ishin prezantuar nga Ministria e Mbrojtjes edhe si mjete që do të përdoreshin për evakuime mjekësore.
Një deklaratë edhe më e drejtpërdrejtë erdhi në janar të vitit 2025 nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu. Gjatë një vizite në Bazën Ajrore të Farkës, Vengu deklaroi se pilotët po certifikoheshin për fluturimet gjatë natës, me synimin për të arritur gatishmëri 24-orëshe të ekuipazheve.
“Pilotët tanë janë duke u certifikuar tani, duke synuar fluturimin natën, çka nënkupton që edhe ekuipazhet të kenë gatishmëri 24-orëshe”, deklaronte ministri.
Edhe drejtues të Forcës Ajrore deklaronin në atë kohë se synimi ishte kalimi nga operimi vetëm gjatë ditës në një sistem gatishmërie 24-orëshe, që do të mundësonte realizimin e operacioneve edhe gjatë natës.
19 muaj pas premtimeve, ende pikëpyetje për gatishmërinë
Nga këto deklarata kanë kaluar rreth 19 muaj. Rasti i 36-vjeçares nga Pogradeci rikthen në vëmendje pyetjen nëse helikopterët shqiptarë janë aktualisht të certifikuar dhe të gatshëm për të kryer fluturime gjatë natës.
Nëse helikopterët mund të fluturojnë natën, mbetet për t’u sqaruar pse nuk u realizua transporti ajror i 36-vjeçares nga Pogradeci drejt Tiranës.
Nëse ata nuk mund të kryejnë fluturime gjatë natës, atëherë lind pyetja se çfarë ka ndodhur me procesin e certifikimit të pilotëve dhe me gatishmërinë 24-orëshe të ekuipazheve, e njoftuar publikisht nga Ministria e Mbrojtjes në janar 2025.
Rasti kërkon një sqarim zyrtar nga autoritetet përkatëse mbi kapacitetet reale të flotës shqiptare të helikopterëve, veçanërisht për ndërhyrjet emergjente gjatë orëve të natës.
The post Vdekja e 36-vjeçares në Pogradec, helikopterët në Shqipëri nuk fluturojnë natën! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



