Vdekja e Astrit Deharit në Qendrën Korrektuese në Prizren, në nëntorin e vitit 2016, është një nga arsyet e përçarjes së madhe që po vazhdon të manifestohet brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Krahu i Molliqajt, sipas deklaratave të një aktivisti, është i bindur që Dehari kishte kryer vetëvrasje në qeli, ndërsa përkrahësit e Albin Kurtit se ai është mbytur nga dikush.
Ka kaluar më shumë se një vit prej vdekjes së Astrit Deharit, aktivistit të Vetëvendosjes, i dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës. Prokuroria kishte konstatuar se i ndjeri kishte kryer vetëvrasje, mirëpo VV-ja, familja dhe avokati, kishin deklaruar se Dehari ishte vrarë. Këta të fundit kanë kërkuar edhe hetim ndërkombëtar, ndërsa tashmë dihet se me rastin do të merret një institut zviceran.
Por, tani në Vetëvendosje nuk mendojnë të gjithë njësoj për vdekjen e Deharit, sikurse edhe për shumë çështje të tjera, për çka ky subjekt politik po kalon nëpër një përçarje të madhe, duke u ndarë në dysh.
Sipas një deklarate të publikuar të martën mbrëma, në Facebook, nga Valdrin Ahmeti, në Vetëvendosje ka dallime rreth rastit të vdekjes së Astrit Deharit. Ahmeti ka shkruar se Molliqaj është i bindur se Astriti ka bërë vetëvrasje në 5 nëntorin e vitit 2016. Fillimisht, Molliqaj, pas marrjes së lajmit për vdekjen e aktivistit, kishte reaguar duke hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj pushtetit. Por, pas dorëheqjes nga të gjitha funksionet e Vetëvendosjes dhe, po ashtu, nga shfaqja në publik e krizës brenda kësaj partie, Molliqaj ka dalë me një version tjetër.
Aktivisti i VV-së, Valdrin Ahmeti, thotë se Molliqaj është i bindur se Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje dhe nuk e ka mbytur askush në burg. Ky qëndrim i sfiduesit kryesor të Kurtit brenda Lëvizjes, thuhet se është deklaruar në një ndejë në mes aktivistëve.
“Në takimin e datës 26 nëntor na tha që nuk do të lejonte të flitej për Astritin si i vrarë sepse prej fillimit ishte i bindur që ai kishte bërë vetëvrasje. Pretendimi i tij ishte kundër mendimeve tona, por edhe kundër logjikës së thjeshtë”, ka deklaruar mbrëmë Ahmeti, përmes një shkrimi në Facebook.
Në lidhje me këtë deklaratë, Gazeta Express ka kontaktuar me avokatin e familjes Dehari, Tomë Gashin. Gashi thotë se bindjet e Molliqajt nuk janë të vërteta, dhe se thotë se vetë ky i fundit në intervistë me avokatin menjëherë pas ngjarjes, kishte thënë që Dehari është vrarë nga dikush. Madje, sipas Gashit, këto deklarata të ashtuquajturve aktivistë të Vetëvendosjes, mund të bëhen qëllimisht për të ndikuar negativisht në këtë rast.
“Absolutisht nuk mund të besoj në këto deklarime që janë dhënë nga një aktivist, nëse veç është i Lëvizjes Vetëvendosje, për shkak se ndër të tjera unë personalisht kam pasur intervistë me Dardan Molliqajn, menjëherë pas rastit dhe gjithmonë ai ka konsideruar që rasti i Astrit Deharit është vrasje. Kështu që këto deklarime, janë të rastësishme ose të qëllimshme nga persona të caktuar për të ngritur konfuzione brenda ose jashtë Vetëvendosjes”, thotë për Express, Tomë Gashi.
Mirëpo, edhe pse ky deklarim nga Ahmeti, mori një vëmendje të madhe në media, Dardan Molliqaj dhe askush tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë mundimin për të reaguar lidhur me këtë rast. Gazeta Express është munduar të marrë një përgjigje nga VV-ja, por këta të fundit nuk kanë qenë të disponueshëm për një përgjigje lidhur me këtë rast.
Ndërkaq, avokati Gashi thotë se ende janë në pritje që ky rast të trajtohet në Institutin Mjekësor Ligjor në Zvicër.