Frika se mos një tjetër i pandehur vdes në paraburgim para marrjes së një vendimi përfundimtar, siç ndodhi në rastin e Sllobodan Millosheviqit, e ka bërë Gjykatën e Hagës të marrë masa të pazakonta parandaluese.
Mekanizmi i OKB-së për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, MICT, në Hagë, miratoi një zgjidhje të pazakontë muajin e kaluar për ndoshta problemin më të vazhdueshëm në dy dekadat e fundit të ekzistencës së gjykatës.
Zgjidhja e tij synonte të trajtonte çështjen e një të pandehuri që konsiderohet i përshtatshëm për të dalë në gjyq, por sëmundja e të cilit ngadalëson ndjeshëm dhe ndërpret rrjedhën e drejtësisë.
Gjykatësit e MICT krijuan një precedent ligjor kur ata lejuan që rigjykimi i ish-kreut të Sigurimit të Shtetit në Serbi Jovica Stanishiq të vazhdonte në mungesë të të akuzuarit, i cili është i sëmurë kronik.
Sipas vendimit të gjykatës, Stanishiq, 65 vjeç, do t’i ndjekë procedurat nëpërmjet transmetimit me video nga shtëpia e tij në Beograd, kur gjykata të mblidhet nga pushimet e saj të verës në mes të gushtit.
Stanishiq akuzohet për krime kundër njerëzimit në Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë gjatë konflikteve të viteve 1991-1995.
Është vendosur që ai të qëndrojë në lirim të përkohshëm, nën kushte strikte, të paktën deri në fund të shtatorit dhe ndoshta deri në mbylljen e çështjes nga prokuroria. Ai ka hequr dorë nga e drejta e tij për të qenë i pranishëm në sallën e gjyqit dhe do të përfaqësohet nga avokatët e tij.
Para Stanishiqit, asnjë i pandehur nuk është liruar përkohësisht nga gjykata e OKB-së gjatë fazës së prezantimit të provave në një gjyq, me përjashtim të të sëmurëve rëndë Goran Haxhiq dhe Momir Taliq.
Gjendja e Stanishiqit i dobëson atij shëndetin, por nuk i kërcënon jetën, thanë specialistët holandezë dhe serbë.
Por që prej arrestimit të tij në vitin 2003, sëmundja e tij ka ndikuar shumë në progresin e çështjes së tij në Hagë. Ai është mbajtur në burg për më shumë se pesë vjet dhe ka kaluar më shumë se gjashtë vjet në lirim të përkohshëm.
Pas një diskutimi të gjatë në lidhje me mundësinë e Stanishiqit për të dalë në gjyq, përpjekja e parë për të nisur procedimet në vitin 2008 dështoi sepse i akuzuari refuzoi të hiqte dorë nga e drejta e tij për të qenë i pranishëm dhe të merrte pjesë në gjyq nëpërmjet një lidhjeje me video me celularin e tij.
Në vitin 2013, Stanishiq dhe ish-ndihmësi i tij Franko Simatoviq u liruan nga akuzat nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY. Dy vjet më vonë, apeli anuloi lirimin e tyre nga akuzat dhe urdhëroi rigjykim të çështjes.
Tani vendimi i jashtëzakonshëm i gjykatës për ta lejuar Stanishiqin të qëndrojë në Beograd dhe të ndjekë procedurat në distancë pritet të lejojë që rigjykimi të vazhdojë me një ritëm shumë më të shpejtë sesa më parë.
Kujdesi për shëndetin e të akuzuarit nuk ka qenë kurrë një gjest i thjeshtë humanitar i gjyqeve të profilit të lartë në ICTY.
Mbrojtja shpesh e ka përdorur atë si një mjet të fuqishëm për të ushtruar kontroll mbi procedurat gjyqësore.
Emblematik është rasti i Vojisllav Sheshelit, ultra nacionalisti serb i akuzuar për krime kundër jo-serbëve në Kroaci, Vojvodinë dhe Bosnjë nga viti 1991 deri në vitin 1993.
Pasi kaloi pothuajse 12 vjet burg, Shesheli, 62 vjeç, u lirua përkohësisht në nëntor të vitit 2014 nga gjykata pasi ai refuzoi të bënte kimioterapi për kanceri në mëlçi.
Pa trajtim, gjendja e Sheshelit “mund të kishte përfunduar me vdekje”, pranoi më vonë kryetari i trupit gjykues Jean-Claude Antonetti.
Pra, frika e gjyqtarit se i akuzuari mund të vdiste nëse mbahej në paraburgim nxiti lirimin e parakohshëm të Sheshelit – megjithëse ai refuzoi në mënyrë të pandërgjegjshme të respektojë kushtet nën të cilat ai lejohej të kthehej në Serbi dhe pastaj gjithashtu refuzoi të kthehej në Hagë për të dëgjuar vendimin për gjyqin e tij.
Frika e ICTY-së qëndron në traumën më të keqe të gjykatës së OKB-së – vdekjen e parakohshme të Sllobodan Millosheviqit në mars të vitit 2006, vetëm pak javë para përfundimit të gjykimit të tij mbi akuzat për gjenocid.
Shesheli- i cili e ka shpallur veten “armiku më i keq i Gjykatës” – ka shfrytëzuar me sukses frikat në të kaluarën kur ai hyri në greva urie vetëm pa muaj pas vdekjes së Millosheviqit.
Për ta shpëtuar Sheshelin nga vetja, gjykata më pas pranoi të hiqte “avokatin të gatishmëri” që ajo kishte caktuar për të pandehurin, i cili më parë e përfaqësonte vetë veten.
“Së fundmi, është i akuzuari Sheshel të cilit i takon të pranojë ose refuzojë trajtimin, edhe nëse ai vdes në burg,” shkroi gjyqtari Antonetti në arsyetimin në lirimin e përkohshëm të Sheshelit.
Megjithatë, vazhdoi ai, “ gjyqtarët duhet të bëjnë gjithçka që munden për të mundësuar që i akuzuari të vazhdojë të jetojë”.
Shesheli jo vetëm që ka jetuar që pas lirimit të tij të përkohshëm, por gjithashtu, siç është mburrur edhe publikisht, ai ka arritur “të mposhtë” edhe kancerin edhe Gjykatën dhe është votuar që të rikthehet në parlamentin serb.
Trupi gjykues më pas, në mars 2016, e liroi Sheshelin nga akuzat edhe pse prokuroria ka nisur një apel. Sidoqoftë, Shesheli është zotuar se s’do të kthehet kurrë me dëshirën e tij në Gjykatën e Hagës.
Avokatët e mbrojtjes për ish-gjeneralin e Ushtrisë Serbe të Bosnjës Ratko Mlladiq, po presin për përfundimin e gjyqit të tij për akuzat për gjenocid që të luajnë me kartën e tyre shëndetësore.
Në mars, mbrojtja u shpreh se Mlladiq, 75 vjeç, duhet të lejohet të vazhdojë trajtimin e tij në Rusi, në pritje të vendimit të gjykatës.
Duke cituar ekspertë serbë dhe rusë, avokatët e Mlladiqit pretenduan se gjendja e tij “është përkeqësuar” pas “gjashtë viteve trajtim jo efikas” në Hagë.
“Këto procedura gjyqësore mund të ndjekin tragjikisht rastin e Sllobodan Millosheviqit i cili vdiq në paraburgim, në pritje të një vendimi mbi lirimin e përkohshëm për të shkuar në Rusi,” paralajmëruan avokatët e Mlladiçit.
Para arrestimit të tij në maj 2011, Mlladiq kishte pësuar tre infarkte që dëmtuan rëndë të folurën e tij dhe pothuajse i paralizuan anën e djathtë të trupit të tij.
Përveç sëmundjeve të tjera – përfshirë pneumoni, arteriosklerozë, diabet dhe hipertension – një përmirësim i dukshëm i gjendjes së Mlladiq është raportuar që në gjykatë nga specialistët brenda dhe jashtë vendit.
Në qershor 2013, pas pothuajse një vit gjyq, Mlladiq pranoi publikisht me gojën e tij.
“Nuk do ta lavdëroj Gjykatën. Kam thënë gjëra të shëmtuara për të. Por po të mos kisha ardhur këtu, tashmë do të kisha vdekur me kohë,” tha ai.
Mlladiq më pas tha se ai “i përulej thellësisht” mjekëve “që më nxorën nga varri me të dyja këmbët”.
“Po të mos kishte qenë për përkujdesin tuaj, për mjekimet tuaja dhe vullnetin e Zotit, do ta kisha takuar me kohë shën Pjetrin,” shtoi ai.
Megjithatë, në mocionin e tij për lirimin e përkohshëm, mbrojtja e Mlladiqit i hodhi poshtë këto fjalë vlerësimi si “komplimente dhe falënderime nga vetë i akuzuari i dëmtuar”.
Por gjyqtarët e mohuan lirimin e tij të përkohshëm, duke vendosur se nuk ka “asnjë çështje akute mjekësore që mbetet e pazgjidhur”.
Megjithatë, vendimi pranoi se ai përballej me disa rreziqe shëndetësore “që korrespondojnë me moshën e Mlladiqit dhe incidentet mjekësore në të kaluarën, kryesisht para arrestimit të tij”.
Si ICTY ashtu edhe MICT janë vonuar shumë në të kaluarën për të vërtetuar se të paraburgosurit kanë kujdes mjekësor në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.
Në maj të vitit 2016, kur ish-lideri politik serb i Bosnjës Radovan Karaxhiq spekulonte publikisht për “rritje të sëmundjeve malinje” në Njësinë e Paraburgimit të OKB-së, ku mbahen të pandehurit, pasi disa prej të ndaluarve vdiqën, gjykata urdhëruan menjëherë një hetim.
Një ekip ekspertësh holandezë në shkurt zbuloi se nuk kishte “asnjë dëshmi të një grupi me kancer ose të një rritjeje rastesh kanceri”.
Sipas raportit të tyre, ka pasur 10 raste kanceri midis 170 personave që mbahen në Njësinë e Paraburgimit të OKB-së gjatë 20 viteve të fundit.
Kjo normë konsiderohet e ngjashme me atë në popullsinë e ish-Jugosllavisë.
Megjithatë, ndërsa të pandehurit e Gjykatë plaken, duket se ka gjasa që shëndeti i tyre të vazhdojë të jetë faktor i rëndësishëm në disa prej procedurave gjyqësore derisa të jepet vendimi përfundimtar. /kallxo.com