Vdekja e rusëve/ Moska kërkon shpjegime, flet mikesha e ish-gjeneralit

Sergey Burenkov, 60 vjeç, dhe bashkëshortja Natalya Burenkova, 58 vjeç, ishin me pushime në Shqipëri, së bashku me vajzën e tyre Katia, 31 vjeç, dhe partnerin e saj Nikita Belousov, kur u gjetën të vdekur në saunën e një hoteli në plazhin e Qerretit në Kavajë.

Sipas burimeve të A2 CNN, ish-puna e burrit si gjeneral ushtrie ka shtuar dyshimet se turistët mund të jenë helmuar nga agjentë biologjikë, ndërsa një tjetër pistë është ajo e asfiksimit nga rrjedhja e gazit.

Teksa hetimet janë duke vijuar në lidhje me vdekjen e mistershme të katër turistëve rusë, Prokuroria e ka regjistruar këtë çështje për veprën penale të vrasjes.

Ndërkohë, Kreu i Komitetit Hetues të Rusisë (TFR), Alexander Bastrykin, është duke pritur për informacion të detajuar në lidhje me vdekjen e katër turistëve rusë, njoftoi të hënën faqja e internetit e agjencisë.

 

“Rusët erdhën në hotel nga Maqedonia e Veriut dhe kërkuan që të përgatisnin një pishinë për ta, të cilën ata donin ta vizitonin pas saunës. Mediat raportuan se klori në pishinën e hotelit mund të kishte vrarë rusët. Një punonjës mund të kishte përdorur shumë klor, që çoi në vdekjen e njerëzve”, lexohet në njoftimin për shtyp.

Gazeta ruse Kuryer Sreda raporton se një punonjës i hotelit ka deklaruar se pasi kishin mbërritur aty, ata kishin kërkuar të shkonin në sauna. Po ashtu kishin kërkuar verë dhe fruta. Por kur mbërriti porosia, askush nuk po e hapte derën e saunës. Një orë më vonë, punonjësi e hapi derën dhe i gjeti trupat e pajetë. Uji i pishinës është dërguar për ekzaminim, pasi dyshohet se kishte shumë klor.

Një nga viktimat ishte i shtrirë në një shezlong, dy ishin në një stol dhe i katërti ishte buzë pishinës me këmbët brenda saj. Një kolege e Sergey, Anastasia, ka folur për gazetën ruse.

“Sergey ishte një njeri shumë i mirë, nuk i kishte bërë keq askujt. Punonim së bashku. Ajo që ndodhi është shokuese. Ata vdiqën menjëherë, as nuk lëvizën. Të gjithë ishin në vendet e tyre. Jam e sigurt që ata nuk mund të mbyteshin apo të helmoheshin njëkohësisht. Dikush do të lëvizte apo duhej të rrëzohej, por ata qëndronin ulur në vendet e tyre. Nuk ka asnjë gjurmë. Ndoshta rezultatet e vërteta të autopsisë nuk do dalin kurrë në media. Ata nuk patën as kohë për të pirë apo ngrënë gjë. Dhe ata që shkruajnë gjëra pa kuptim, do të doja që të mos ndjenin dhimbjen që kemi ne,” tha ajo.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme