Vdekja e Vokrrit trishton të gjithë

Lajmi për vdekjen e legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka trishtuar botën e sportit dhe politikën.


Meta ditë më parë ia nënshkroi Vokrrit nënshtetësinë shqiptare

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është shprehur i tronditur me vdekjen e Fadil Vokrrit, kryetarit të FFK-së, duke thënë se shuarja e tij është tronditëse për të gjithë shqiptarët.

Ai, përmes një postimi në Facebook, zbuloi se para pak ditësh ia kishte nënshkruar Vokrrit nënshtetësinë shqiptare.

“Fadil Vokrri me talentin dhe suksesin e tij frymëzoi shumë fëmijë shqiptarë kudo për të ecur në shembullin e tij. Me personalitetin e tij ndërkombëtar ndihmoi integrimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. Pak ditë më parë pata kënaqësinë të firmosja dhënien e shtetësisë shqiptare për Fadil Vokrrin me kërkesë të F.SH.F për kontributin e tij të veçantë në mbështetje të futbollit tonë e sidomos ekipeve kombëtare”, ka thënë Meta, raporton Koha.net.

Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Fadil Vokrrit, Federatës së Futbollit të Kosovës, mbarë botës shqiptare të futbollit, Meta u shpreh i bindur se personaliteti i jashtëzakonshëm që ai krijoi në fushën e blertë do vazhdojë të frymëzojë gjeneratat më të reja në rrugën e suksesit!


Kryetari i Këshillit Kombëtar Boshnjak, Sulejman Uglanin përmes një komunikate ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri.

Ai thotë se Vokrri ishte një sportist kulmor që ka kontribuar shumë në promovimin e vlerave njerëzore.

Më poshtë mund ta lexoni ngushëllimin e Uglaninit:

Me dhimbje të madhe morëm lajme për mikun tonë të dashur Fadil Vokrri i cili shkoi në Ahiret.

Në emër të Këshillit Kombëtar Boshnjak dhe në emrin tim personal, unë dërgoj ngushëllimet më të thella Shoqatës së Futbollit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Fadili ynë do të kujtohet para së gjithash si një njeri i madh, një sportist kulmor dhe si një punëtor sporti shumë të suksesshëm i cili ka kontribuar shumë në promovimin e vlerave më të larta njerëzore përmes sportit.

Ne do të kujtojmë Fadil Vokrrin si president i Shoqatës së Futbollit të Kosovës, i cili përmes punës së tij të madhe dhe angazhimit arriti suksesin e të cilit Federata e futbolli u bë anëtare e FIFA dhe UEFA.

Sot është vështirë për të gjetur fjalët e duhura të ngushëllimi, Ju lutem ngushëllimet tona të sinqerta T’ia shprehni familjes së rahmetli Fadil Vokrrit.

Sinqerisht,

Kryetari i Këshillit kombëtar Boshnjak

Dr. Sulejman Uglanin


I pikëlluar për vdekjen e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri është edhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se vdekja e Vokrrit është një humbje e madhe për futbollin kosovar, ndërsa thekson se legjendat nuk vdesin, transmeton Koha.net.

Postimi i Sejdiut në Facebook:

Legjendat nuk vdesin.

Lajm i hidhur për të gjithë: vdes Fadil Vokrri – legjendë e futbollit shqiptar. Humbje e madhe për futbollin e Kosovës, dhembje në shpirt për gjithë ata që e njohën këtu dhe gjithë skajet e globit.

Ishte themelues dhe legjendë e futbollit modern. I tillë mbeti – gjithmonë energji e pashterrshme.

U shndërrua në legjendë mes të gjallëve.

Prehu i qetë mik i dashur – legjendat nuk vdesin!


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me trishtim e ka marrë lajmin për vdekjen e Vokrrit, siç ka thënë ai, të parakohshme.

“Me dhimbje të madhe dhe pikëllim të thellë, i tërë kombi mori lajmin për vdekjen e parakohshme të Fadil Vokrrit, yllit më të ndritur të sportit dhe jo vetēm sportit tonë. Ngushëllime familjes, miqve dhe tifozëve. U prefsh në paqe Kapiten”, ka shkruar Thaçi.

Për vdekjen e Vokrrit ka shkruar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili e ka quajtur frymëzim për shumë breza.

“I trishtë lajmi për vdekjen e hershme të legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, i cili tërë jetën e shkriu, që t’i japë emër atdheut të tij, të cilin aq shumë e deshti dhe i qëndroi besnik deri në frymën e fundit.

Fadili ishte motivues i madh yni që na dha zemër për të dalë fitues nga të gjitha betejat!

Fadili kurdoherë ishte figura qendrore në fushën e blertë duke u sjellë bashkëqytetarëve buzëqeshje e gëzim edhe në kohërat më të rënda, kur pesha e dhunës peshonte mbi ta.

Ai u bë frymëzim për shumë breza sportistësh kosovarë dhe ikonë e futbollit, jo vetëm në hapësirat shqiptare, që nga vitet ’80, duke e fituar betejën e fundit, anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Dritë të pastë shpirti, Fadil”.

Zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli e Enver Hoxhaj kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e Vokrrit.

“Çfarë lajmi trishtues vdekja e legjendës tonë të futbollit, Fadil Vokrri! Ngushëllime familjes, miqve dhe qytetarëve të Kosovës. Do ta ruajmë gjithmonë kujtimin për të. Prehu në paqe, Fadil”, ka shkruar Hoxhaj.

“Sapo mora lajmin e hidhur. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri sot ka ndërruar jetë. Prehu në paqe miku im, dhe legjenda e shtetit tonë”, ka shkruar Pacolli.

Valon Murati i Lëvizjes për Bashkim ka thënë se kur në ditët e sotme fëmijët kanë Messin e Ronaldon, kosovarët dikur e kishin idhull Fadil Vokrrin.

“Fëmijët sot kanë Mesin e Ronaldon. Ne idhull kishim Fadil Vokrrin. I trishtuar që nuk i mbijetoi sulmit. Edhe më i trishtuar, që isha dëshmitar i kësaj beteje. Le t’i prehet shpirti në paqe”, ka shkruar Murati.

Avdullah Hoti, LDK

Legjenda e futbollit Fadil Vokrri ndahet nga ne, por emri i tij do te jetoj nder breza te futbollisteve tane. Nje njeri qe gezon respekt te rralle.
Pusho ne paqe mik.


Shyqiri Bytyqi, ministër i arsimit, ka thënë se Vokrri i ka bërë krenarë të gjithë.

“Fadil Vokrri na ka bërë krenarë vit pas viti me lojën e tij, e me pas edhe me punën e përkushtimin për ta quar përpara futbollin kosovar dhe për të hapur rrugë për të gjithë ata talentë në këtë sport. Ai ishte frymëzim për gjenerata të tëra dhe si i tillë do të mbetet në historinë e futbollit shqiptar, ku ai la gjurmë të pashlyeshme. Ngushëllime të sinqerta për familjen, miqtë, komunitetin e sportistëve dhe mbarë kombin shqiptar. U prehtë në paqe!”, ka shkruar Bytyqi.


Telegram ngushëllimi i ministrit të Sportit, Kujtim Gashi, për ndarjen nga jeta të legjendës Fadil Vokrri

E nderuara familja Vokrri,

Lajmin për vdekjen e më të dashurit tuaj, legjendës së futbollit shqiptar dhe personalitetit të madh, Fadil Vokrrit, e morëm të shtangur dhe të pikëlluar. Është shumë e vështirë dhe fjalët s’mund të përshkruajnë emocionin e ndjerë për këtë humbje të madhe për të gjithë ne.

Ikja e hershme nga ne e Fadilit, është humbja më e madhe dhe më e rëndë jo vetëm për ju, familjen dhe miqtë e tij. Ne, kemi humbur si Kosovë një prej figurave të rëndësishme, nuk ka humbur vetëm Federata e Futbollit të Kosovës, e as sporti në Kosovë, por tërë shqiptarët anekënd Botës kanë humbur një legjendë, me të cilin jemi mishëruar dhe kemi gjetur veten tek ai kur shënonte gola e korrte fitore.

Figurat e këtilla sikurse Fadil Vokrri, i cili me angazhimin e tij ka depërtuar jo vetëm në hapësirat gjithëshqiptare por edhe në Evropë dhe Botë, shumë vende ëndërrojnë t’i kenë, kurse ne krenohemi që e kemi pasur, dhe me pietet dhe xhelozi do ta kujtojmë.

Ai, me angazhimin e tij, me një përkushtim të paepur ka bërë që emri i tij të jetë i gdhendur thellë në botën e futbollit duke tejkaluar dhe thyer çdo barrierë për të shndërruar veten në një yll që bota e futbollit do ta kujtojë dhe s’do ta harrojë kurrë.

Fjalët janë të varfra për ta shprehur dhimbjen dhe ngushëllimin. S’ka fjalë që e përshkruajnë një legjendë dhe pasur parasysh këtë si t’i themi lamtumirë një ylli. Ne edhe mund të pajtohemi me shuarjen e një ylli se s’kemi çfarë të bëjmë, por kurrë s’do të pranojmë që shkëlqimi i një ylli siç ka qenë Fadil Vokrri të shuhet e të humbasë. Kujtimi për të do të jetë përherë.

Ai me sukses ka udhëhequr Federatën e Futbollit të Kosovës, duke kurorëzuar edhe në ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës, me anëtarësim në UEFA e FIFA.

Me kontributin e tij prej legjende, Fadili, ka bërë që të jetë i respektuar nga të gjithë përbrenda botës së futbollit dhe përtej saj. Fadili me punën e tij, si futbollist aktiv dhe më pas si kontribuues i madh në futbollin e Kosovës, ka bërë të të jetë i vlerësuar dhe fjala e tij të zë vend.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Fadil Vokrrit.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci

Sot, kaloi në përjetësi, Fadil Vokrri. Lajm sa i trishtueshëm aq edhe i pabesueshëm. Kombit tonë nga sot i mungon një vigan i sportit dhe atdhedashurisë.

Legjenda e fushave të blerta, që i bëri ballë sfidave të një shteti okupator, duke promovuar dhe ngritur lartë, krenarinë tonë në futboll, gara fer dhe me shpirt sportisti, do të mungojë fizikisht.

Fadil Vokrri, ishte përfaqësues i denjë i sportit me shpirt, vullnet dhe guxim shqiptar!

Qoftë i përhershëm kujtimi për Fadil Vokrrin!

Dardan Sejdiu, PSD

Lamtumirë legjendë, i përjetshëm kujtimi për ty!

Prishtina e kaltër si qielli do jetë përherë e Fadil Vokrrit!

Pas lajmit të hidhur për vdekjen e tij kanë reagur shumë personalitet të njohura e ndër ta është edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ky është shkrimi i plotë i Shpend Ahmetit në Facebook.

Një jetë plotë suksese, e duke pritur sukseset e radhes së ngritjes së përfaqësueses së Kosovës. Vështirë i zëvendësueshëm në çdo pozitë që luajti e që mbajti. I respektuar në çdo vend që jetoi. Lajm i hidhur e i rëndë.

Pusho në paqe Fadil Vokrri!.

Ambasadori britanik, Rouari O’Connell

Pata nderin ta konsiderojë Fadil Vokrri si shok. Fadili ka qenë gjigant i sportit e Kosovës. Mirë që Fadili ka realizuar ëndren e Kosovarëve që Kosova të anëtarsohet në FIFA dhe të marrë pjesë në konkurrencen ndërkombëtar. Ai ka qenë njeri shumë modest, por madhëstor, dhe trashëgim i tij do të ketë efektin e parkahasueshëm për gjeneratat në vijim.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj

Lajmi për vdekjen e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, na ka tronditur të gjithëve.
Vdekja e hershme e Vokrrit është humbje e madhe për sportin e Kosovës dhe për vetë shtetin e Kosovës.

Vokrri ka qenë frymëzim për shumë gjenerata në vitet e 80-ta.
Kontributi i tij në pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA ishte vendimtar.

Fadilin pata rastin ta takoja 10 ditë më parë në prag të ndeshjes Kosovë-Shqipëri. Si gjithmonë pozitiv e i përkushtuar për ta ngritur futbollin e Kosovës sa më lart.

Ngushëllime më të sinqerta familjes Vokrri, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës!
U prehsh në paqe!

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli 

Përjetësisht Legjendë. Përjetësisht falënderues e mirënjohës ndaj veprave dhe sjelljes Tuaj. Sot futbolli ynë, sporti ynë dhe Kosova ka humbur shumë. Do të na mungosh Legjendë!.

Arban Abrashi, LDK

Lamtumirë Fadil!

Faleminderit për krenarinë, gëzimin, për shembullin, për frymëzimin e gjeneratave, për punën e pashoq për vendin e shoqërinë!

Ndjehem mirë që njoha një njeri si ti, një mik të vërtetë e të sinqertë, por ike shumë shumë herët. Sot është një ditë e zezë për vendin tonë.

U prehsh në paqe, miku im!

Telegram ngushëllimi nga Vetëvendosje

Me pikëllim të thellë sot morëm lajmin për ndarjen nga jeta të kryetarit të FFK-së dhe njërit prej personaliteteve më të shquara dhe më kontributdhënëse në fushën e sportit, Fadil Vokrri.

Fadili ishte mjeshtër i madh i futbollit. Nga një i ri i talentuar në KF Llapi, ai u bë qendërsulmues dhe kapiten i gjeneratës së artë të KF Prishtina, klub të cilin e udhëhoqi në nivelin më të lartë, ligën e parë të futbollit. Atëherë kur futbolli nuk ishte vetëm sport por edhe rezistencë, 55 golat e Fadil Vokrrit në fanelën e Prishtinës i bënin krenarë shqiptarët në gjithë ish Jugosllavinë dhe jo vetëm. Përkundër shtypjes dhe urrejtjes antishqiptare talenti i i tij e bëri atë shqiptarin e vetëm që luajti nën fanelën e ish Jugoslavisë. 2 golat e tij kundër Irlandës Veriore bën që tërë stadiumi i Sarajevës të brohoriste emrin e tij. Vokrri shkëlqeu edhe në Partizanin e Beogradit, Fenerbahçen e Stambollit e Nimes të Francës.

Vepra dhe përkushtimi i tij i vazhdueshëm në ngritjen e nivelit të sportit në Kosovë ndër breza mbetet vlera më e madhe që ky sportdashës i madh po na lë të trasuar rrugën për të vazhduar tutje.

Lëvizja Vetëvendosje! ndan dhimbjen me familjen Vokrri dhe u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.

I përjetshëm qoftë kujtimi për personalitetin dhe për veprën e madhe të Fadil Vokrrit!


Rama: Vokrri do të mbetet gjallë në kujtesën e çdo futbolldashësi shqiptar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Fadil Vokrrit.

Në një postim në Facebook, Rama ka shkruar se Vokrri do të mbetet në kujtesën e çdo futbolldashësi shqiptar.

“LAMTUMIRË KAMPION – Fadil Vokrri mbetet legjenda e gjallë e futbollit jo vetëm ne Kosovë, po në kujtesën e çdo futbolldashësi shqiptar”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme