Një tren mallrash goditi Medina Husein më 21 nëntor në Serbi pranë qytetit kufitar Sid pasi policia kroate detyroi familjen e saj të kthehej në Serbi.
Më herët, rreth orës 18:00 në atë mbrëmje kur temperaturat kishin rënë, policia kishte gjetur familjen që po përpiqej të kalonte në Kroaci në një përpjekje për të arritur në Evropë. Ata i çuan në një stacion policor për t’u marrë në pyetje.
Nëna e Medinës, e cila po udhëtonte gjithashtu me fëmijët e saj të tjerë, iu lut zyrtarëve lokalë që t’i linin ata të iknin në mëngjes për shkak se ishin të lodhur pasi kishin ecur me orë të tëra.
Por autoritetet kroate e refuzuan këtë kërkesë, raporton “Al Jazeera”, transmeton Periskopi.
Policia kroate i dërgoi ata në Serbi nga qyteti Tovarnik dhe, në orën 8, i tha familjes të ecë përgjatë linjës së trenit përsëri në Sid. Medina u vra në atë udhëtim.
Vëllai 15-vjeçar i fëmijës gjeti trupin e saj nga vendi ku u godit.
“Nëna ime kishte frikë se vëllezërit dhe motrat e mia të vegjël nuk do të ishin në gjendje të shihnin se ku po shkonin natën”, tha Nilab Husein për “Al Jazeera”, motra 17-vjeçare e Medinës.
‘Ata donin të fshihnin vdekjen e motrës sime’, thotë Nilab Husein duke iu referuar policëve të cilët deportuan familjen e saj.
Ministria e brendshme e Kroacisë konfirmoi vdekjen në faqen e saj të internetit, duke mohuar se policia kufitare ishte përgjegjëse. Qeveria ka thënë se familja u kthye në Serbi vullnetarisht.
Sipas Mjekëve pa Kufij (MSF), në kufirin Kroaci-Serbi në vitin 2017 vdiqën shtatë persona duke përfshirë tre fëmijë, në vijën e trenit midis Tovarnik dhe Sid.
Pasi u goditën Medina, familja u detyrua të priste në një pyll për gati një orë. Nga atje, oficerët e policisë serbe i morën ata në Beograd.
“Nëna ime pyeti policinë serbe, se në cilin spital ndodhet Medina, por ata na thanë se nuk dinin”, tha Nilab.
Policia kroate është akuzuar më parë për përdorimin e dhunës për të detyruar emigrantët dhe refugjatët të kthehen në Serbi.
Sipas OKB-së, aktualisht janë rreth 7,000 refugjatë në Serbi – rreth gjysma janë fëmijë./Periskopi/