Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Naser Guri, për veprën penale Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore, nga Neni 266 par.6, lidhur me par. 5.1 dhe 2 të KPK-së.
Të pandehurit Naser Guri i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, duke filluar nga data 05.10.2017 deri me datë 05.11.2017.
Pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në Kosovë.
Gazeta Express, dje ka raportuar se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar vendosjen e masës së paraburgimit për pronarin e kompanisë “Bubeari Coemrce”, e cila pa licencë prodhoi gazin medicinal (N20).
Më 7 shtator në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, tre pacientë në rrethana ende të dyshimta, derisa ishin futur në operacion, kishin ndërruar jetë. Për këtë punë organet e hetuesisë kanë nisur hetime në disa pista.
Në bazë të hetimeve të para si shkaktar i vdekjes dyshohet të jetë gazi oksidul (N20), i prodhuar pa licencë në Kosovë, me të cilin furnizohej QKUK-ja nga kompania “Bubeari Komerc”, nga Kaçaniku.