Vdekshmëria dhe rastet e reja me COVID-19/ Ja ku renditet Shqipëria në Ballkan, Europë dhe botë

Në të gjithë botën, deri në momentet që flasim, janë infektuar me Covid-19 ose njëri nga mutacionet e tij 388.909.416 persona, prej të cilëve 5,732,814 kanë vdekur, ndërsa janë shëruar 308,208,563 të tjerë.


Të dhënat e raportuara në worldometers.info në lidhje me Koronavirusin shihet se në të gjithë botën, sidomos pas festave të fundvitit, ka pasur një rritje galopante të shifrave të të infektuarve të rinj, por edhe të numrit të të prekurve, sidomos edhe pas daljes në skenë të varianteve të reja si Delta apo Omicron.

Vendi ynë renditet në vendin e 96-të të këtij rankimi, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut, Bosnje-Hercegovinën apo Qipron, por është më keq se Mali i Zi, Luksemburgu, Afganistani e Nigeria.

Listën e kryeson SHBA, ndërsa mbyllet me Mikronezinë, e cila raporton vetëm 1 rast të regjistruar me Covid-19.

Por, si paraqitet situata në vendin tonë?

Në Shqipëri, në përditësimin e fundit të kësaj faqeje, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, rezulton se numri i rasteve totale i personave të prekur nga Covid-i është 262.271 qytetarë, mes të cilëve kanë vdekur 3369, ndërsa të shëruarit deri më tani janë 242.445 persona.

Përsa i përket rasteve aktive, në të gjithë territorin e vendit raportohet për 16457, mes të cilëve 23 qytetarë ndodhen në gjendje të rëndë për jetën, në intubim ose të shtruar në një nga spitalet Covid në kryeqytet. Vetëm në 24 orët e fundit në Shqipëri u regjistruan 7 të vdekur dhe 1.001 raste të tjera me COVID-19.

Krahasimi me rajonin:

Kosovë ka një numër më të ulët krahasuar me Shqipërinë të rasteve totale të personave të prekur nga Koronavirusi me 212.671 qytetarë, ndërkohë që të shëruarit janë pothuajse kokë më kokë, konkretisht 164.991 qytetarë. Ndërkohë, numri i vdekjeve si pasojë e Koronavirusit është 3032, pra më pak se Shqipëria, e cila ka regjistruar 3369 viktima.

Nëse i referohemi të dhënave zyrtare, në Maqedoninë e Veriut  numri i rasteve totale të raportuar me Covid-19 është 274.144 persona, me të cilëve 8494 kanë humbur jetën, ndërsa janë shëruar në total 251.688 qytetarë. Ndërkohë, akvivë janë 13962 persona.

Përsa i përket Malit të Zi, numri i rasteve totale është më pak se Maqedonia e Veriut dhe se Shqipëri, me 221.902 të tilla. Ndërkohë, shifra të ulëta raportohen edhe përsa i përket vdekjeve me 2591 të tilla, por edhe të shëruarve e rasteve aktive në total, përkatësisht 213.951 të shëruar dhe 5360 aktivë. Numri total i personave në gjendje të rëndë për jetën është më i lartë se në Shqipëri, me 60 të tilla, ndërkohë që në vendin tonë janë 23 persona në gjendje të rëndë.

Le të kalojmë te Serbia. Numri total i rasteve të konfirmuar me Covid-19 raportohet 1.730.486 persona, ku 13.807 kanë mbetur të vdekur, ndërkohë që numri total i të shëruarve është 1.422.647 qytetarë. Deri më sot, rastet aktive janë 294.032 persona, ndërsa numri i atyre në gjendje të rëndë për jetën është 150.

Si paraqitet situatë në Europë dhe në botë?

Nëse i referohemi shifrave në rang global, shteti me më shumë raste pozitive dhe viktima nga Covid-19 janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konkretisht me 77.150.412 raste totale dhe numri i viktimave deri më sot është 920.829 qytetarë. Përsa i përket numrit të të shëruarve rezulton se janë 47.313.736, ndërsa numri i rasteve aktive me Covid është 28.915.847 qytetarë.

Pas SHBA renditet India me 41.952.712 raste totale me Koronavirus, më pas vijon me Brazilin, Francën, Britaninë e Madhe, Rusinë, Turqinë, Italinë, Gjermaninë e për ta mbyllur 10-shen e parë me Spanjën me 10.199.716 të prekur në total, mes të cilëve 94.040 viktima.

Ndërkohë, në Europë kryeson Franca me 20.147.341 persona të prekur në total, mes të cilëve 131.852 viktima.

Pas saj vjen Britania e Madhe me rreth 2 milion e gjysmë raste më pak, ndërkohë që e ndjekin Rusia, Italia, Gjermania, Spanja, Polonia, Holanda, Ukraina dhe mbyllet me Belgjikën, e cila numëron 3.267.656 raste totale me Covid-19.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu: Ende herët për të lehtësuar masat anti-Covid!

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se në Shqipëri është ende herët për të lehtësuar masat anti-Covid, ashtu siç po ndodh në shumë vende të botës, pavarësisht rritjes së rasteve me variantin Omicron të koronavirusit.

Gjatë një dalje publike pak ditë më parë, Manastirliu bëri thirrje për të treguar kujdes në lidhje me situatën aktuale epidemiologjike në vend.

“Masat në Shqipëri konsiderohen të intensitetit të ulët dhe mesatar. Situata po vlerësohet në mënyrë dinamike. Në vend mbizotëron varianti Omicron. Ka mbi 18 mijë raste aktive të cilat janë në masën 98% me variantin e fundit të Covid”, tha Manastirliu.

Deri tani në Shqipëri janë kryer mbi 2.6 milionë vaksinime dhe kanë marrë një ose dy doza 56% e popullsisë mbi 16 vjeç.

Rama për rritjen e rasteve me COVID: Pasojë e festimeve dhe mungesës së shtrëngimeve!

​Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një dalje “live” në Facebook disa ditë më parë, tha se rritja e rasteve të reja me COVID është pasojë e festës dhe mungesës së plotë të shtrëngimeve, pa harruar variantin Omicron që tha se përhapet më shpejtë.

“Efekti i festave, i mungesës së plotë të shtrëngimeve dhe patjetër edhe efekti i variantit të ri Omicron, që ka një shpejtësi më të madhe transmetimi sesa variantet e mëparshme. 107 persona ndodhen tani që flasim të shtruar në Infektiv, që mbi 95% lidhen me mosvaksinimin”, thoshte Rama disa ditë më parë.

Epidemiologët: Kemi rritje te rasteve me Covid, por numri i shtrimeve në spital ka rënë!

Mjeku Epidemiolog Ilir Alimehmeti, thotë se pjesa me e madhe e rasteve pozitive me Covid në vendin tonë, janë të infektuar me variantin Omicron. Referuar asaj që ai pohoi, në Shqipëri numri i shtrimeve në spital është ulur ndjeshëm, por numri i të infektuarëve vazhdon të jetë i lartë.

“Jemi diku te 90-95% Omicron dhe diçka tjetër Delta. Antitrupat që krijon Omicron mban larg Deltën. Kemi parë që një person që ka pasur delta ka pasur mundësi të marrë Omicron mbrapa”, tha Alimehmeti.

“Gjatë janarit në Shqipëri në spital ka pasur shumë raste Delta. Një vëzhgim të thjeshtë është numri i të shtruarve në janar dhe atyre në nëntor. Në nëntor kemi pasur një mesatare 150-200. Ndërsa aktualisht jemi në një mesatare 130. Pra 25% më pak. Edhe pse numri i rasteve është rritur ai në spital ka rënë”, u shpreh ai.

Mjeku tha se ende nuk dihet deri kur do të ketë renie të kurbës, por tani ka  një ngadalësim të transmetueshmërisë.

“E kemi të vështirë. Ka ngadalësuar. Ka shtete që pasi arritën një farë qetësie pasi u fut varianti i ri i Omicron u rritën, pra  BA2. Ne nuk e dimë kur do të hyjë në Shqipëri. Për momentin shikojmë një ngadalësim dhe shenja të lehta rënie. Por kjo mund të jetë vetëm diçka e momentit”, tha Alimehmeti.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme