Vdes ish-ushtari serb i akuzuar për vrasjen e mbi 100 shqiptarëve më 1999

Milojko Nikoliq, ish-ushtar serb i akuzuar për përfshirje në masakrimin e mbi 100 shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999, ka vdekur para përfundimit të gjykimit të tij në Beograd.

Nikoliq, një nga nëntë personat që po gjykohen për vrasjen e mbi 100 civilëve shqiptarë në fshatrat e Kosovës Qyshk, Lubeniq, Pavlan dhe Zahaq gjatë pranverës së vitit 1999, ka vdekur të mërkurën në Beograd.

Ai ishte një prej 11 ish-pjesëtarëve të Njësitit Intervenues 177 të Armatës Jugosllave të akuzuar për krime lufte në këtë rast, dhe procesi kundër tij tani do të suspendohet, raporton agjencia shtetërore serbe e lajmeve “Tanjug”.

Avokati i tij, Dragan Palibrk, tha të mërkurën se ndjen “keqardhje” që serbët e akuzuar për krime lufte po vdesin gjatë gjykimit, qoftë në Serbi apo në paraburgim në Tribunalin e Hagës, transmeton Koha.net.

Nikoliq ishte arrestuar në Mal të Zi më 2010 dhe ishte ekstraduar menjëherë në Serbi. Ai fillimisht ishte dënuar me 20 vjet burgim për krimet në Kosovë, por ky vendim ishte rrëzuar dhe rigjykimi ndaj tij kishte nisur më 2015.

I akuzuari tjetër në këtë rast, Dejan Bulatoviq, është i sëmurë dhe rasti ndaj tij është ndarë nga pjesa tjetër e grupit.

Ndërkaq, një tjetër, Ranko Momiq, është në arrati.

E një tjetër i akuzuar në këtë rast, Radosllav Brnoviq, po ashtu ka vdekur.

Grupi fillimisht ishte dënuar më 2014 me 106 vjet burgim për vrasjen e së paku 118 civilëve shqiptarë të Kosovës. Por gjykata serbe e Apelit rishikoi vendimin më 2015 dhe e ktheu atë në rigjykim.

Që nga atëherë, gjykimi është përcjellë me vonesa dhe refuzim të dëshmitarëve për të shkuar në Beograd.

Ky konsiderohet një prej rasteve më të mëdha të ndërlidhura me krimet e luftës në Kosovë në një gjykatë në Beograd, ndërsa seancat për të tashmë kanë hyrë në vitin e gjashtë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme