Vëllai i ish-ministrit Buja deklarohet i pafajshëm për dallaveret me nota dhe regjistrime në Mjekësi

Pas shtatë dështimeve të njëpasnjëshme, të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është arritur të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj vëllait të ish-ministrit të Arsimit Ramë Buja, Abdyl Buja, si dhe Mentor Ismajlit, Alban Azemit dhe Rizah Azemit, të cilët po akuzohen se kanë bërë keqpërdorime me nota dhe regjistrime në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shkelzen Ibrahimi, të gjithë të akuzuarit u deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë për veprat penale që iu vihen në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk ndihem fajtor për asnjë vepër që potencohet këtu”, ishte deklarimi i të akuzuarit Buja.

E ngjashëm me të u shprehën edhe të akuzuarit Mentor Ismajli, Alban Azemit, dhe Rizah Azemi

Në këto rrethana, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj i njoftoi të njëjtit se kanë mundësi, që brenda afatit prej 30 ditësh, t’i paraqesin kërkesat e tyre për hedhjen e aktakuzës dhe të bëjnë kundërshtimet e provave.

Ndryshe, ndonëse aktakuza për këtë rast ishte ngritur në maj të vitit 2018, deri më tani çdo seancë fillestare e caktuar kishte dështuar të mbahet.

Ndryshe nga herët e kaluara, kur gjykimet kishin dështuar për shkak se në gjykatë nuk ishin paraqitur të akuzuarit, sikurse që seanca e 29 korrikut ishte shtyrë për shkak se kishin munguar dy të akuzuarit, Alban Azemi dhe Rizah Azemi, më 3 korrik të gjitha palët ishin në objektin e gjykatës por as atëherë nuk ishte arritur të mbahet shqyrtimi fillestar.

Kjo pasi që i akuzuari Buja ishte ndaluar në hyrje të gjykatës për shkak të veshjes jo adekuate për gjykatën, përkatësisht me pantallona të shkurtër.

Kurse, për shkak të mungesës së prokurorit Feti Tunizliu, i cili kishte dalë në pension e Prokuroria Themelore në Prishtinë, nuk kishte angazhuar me këtë lëndë ndonjë prokuror tjetër, kishte dështuar seanca e 3 qershorit 2019, e për këtë arsye kishte dështuar edhe seanca e 10 majit 2019.

Atë ditë  kishin munguar prokurori Feti Tunuzliu dhe të akuzuarit Feti Ismajli dhe Rizah Azemi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas seancës së 3 qershorit, gjykatësja Kuka-Mekaj, kishte veçuar procedurën ndaj të akuzuarit Feti Ismajli dhe ndaj tij ishte lëshuar edhe urdhërarrest, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, në seancën e 25 prillit 2019, kishin munguar të akuzuarit Mentor Ismajli, Feti Ismajli, Alban Azemi dhe Rizah Azemi, ndërsa aty kishte marrë pjesë vetëm i akuzuari Buja.

Dështimi tjetër i këtij rasti ishte edhe seanca e 26 shtatorit 2018, atë ditë kishin munguar të akuzuarit Abdyl Buja, Albisjan e Muhib Fazliu, Granit Kastrati, Alban Azemi dhe Rizah Azemi, ndërsa në seancën e 8 tetorit 2018, kishin munguar të akuzuarit Feti Ismajli, Granit Kastrati dhe Alban Azemi.

Ndryshe, më 11 shtator, ishte mbajtur seanca dëgjimore për marrëveshje të fajësisë sa u përket dy të akuzuarve, Albisjan dhe Muhib Fazliu, të cilët kanë hequr dorë nga e njëjta.

Mbrojtësi i të akuzuarit Albisjan Fazliu, avokati Avni Leci kishte deklaruar se heqjen dorë nga marrëveshja e bëjnë për arsye se aktakuza është ngritur në mënyrë të pasafatshme.

“Kemi të bëjmë me ngritjen e aktakuzës në mënyrë të pasafatshme duke mos u zbatuar drejtë dispozita ligjore e nenit 259, paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale. E mbi të gjitha nuk është zbatuar udhëzimi i Kryeprokurorit të Shtetit me numër ANR258/16 i datës 29 prill 2016, si dhe mbi të gjitha mendojmë se edhe gjykata nuk do ta lejonte një marrëveshje të tillë duke u bazuar në nenit 233 paragrafi 18, pika 18.3. Andaj, mbi këtë bazë kërkojmë nga gjykata të na pranohet kërkesa për heqje dorë nga marrëveshja”, kishte deklaruar avokati Leci.

Lidhur me këtë, prokurori i rastit Feti Tunuzliu, kishte thënë se nuk e kupton avokatin se çfarë ka problem te aktakuza.

Kurse, avokati Leci kishte deklaruar se sipas udhëzimit të Kryeprokurorit të Shtetit brenda tre muajsh nga parashtrimi i kallëzimit penal duhet të bëhet trajtimi i tij.

Avokati Leci, kishte thënë kallëzimi penal është ngritur në vitin 2014, ndërsa aktvendimi për fillim të hetimeve është nxjerrë në vitin 2017, që sipas tij kanë kaluar tre vite që nuk është ndërmarr asnjë veprim nga organi i ndjekjes.

Ndërsa, prokurori Tunuzliu  kishte deklaruar se hetimit sipas aktvendimit formal për fillim të hetimeve është nxjerrë më 23 gusht 2017, dhe se aktakuza është ngritur brenda 1 viti, gjatë vitit 2018.

Edhe mbrojtja e të akuzuarit Muhib Fazliu, kishte deklaruar se heqin dorë nga marrëveshja për pranim të fajësisë.

Ndërsa, prokurori Tunuzliu, kishte deklaruar se nuk ka çfarë të shtojë dhe se të akuzuarit kanë të drejtë të tërhiqen nga marrëveshja për pranimin e fajësisë.

Gjykatësja e rastit, Nushe Kuka – Mekaj, kishte marr aktvendim me anë të së cilit ka aprovuar heqjen dorë të të akuzuarve nga marrëveshja për pranim të fajësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktit akuzues të ngritur më 31 maj 2018, Abdyl Buja me dashje ka ndihmuar personin tjetër për të kryer vepër penale duke e udhëzuar dhe premtuar se do t’i fsheh provat e veprës së kryer penale.

Sipas aktakuzës, ai duke qenë i vetëdijshëm për qëllimin e takimit me Albisjan Fazliun dhe Feti Ismajlin, në kafenenë “Rozafa” në Lipjan me dëshirë që pas dështimit të të pandehurit Albisjan Fazliu për ta kaluar provimin pranues në Degën e Stomatologjisë së Fakultetit të Mjekësisë në UP në Prishtinë, ta regjistrojë të njëjtin në këtë degë.

Këtë thuhet se ka arritur ta bëj duke ia lëshuar vërtetimin nga administrata qendrore e UP-së si student në vitin 2011/12, e më pas thuhet se është formuar dosja me 001469/1 dhe indexi me numrin e njëjtë, për çka i pandehuri ka marr shumën prej 3000 euro në shtëpinë e vet nga i pandehuri Feti Ismajli.

Këto para thuhet se i ka marr për t’ia dërguar të pandehurit Muhib Fazliu, kinse për t’ia dorëzuar zyrtarit të Fakultetit të Mjekësisë, e pastaj e ka këshilluar të pandehurin Albisjan Fazliu që ta plotësojë formularin për të hyrë në provimin Fizikë Mjekësore me Biofizikë të profesori Ymer Halimi duke e dorëzuar personalisht formularin të zyrtari i autorizuar me dëshirë për t’i marr 700 euro.

Mirëpo, thuhet se Albisjan Fazliu ia kishte dhënë 300 euro në shtëpinë e vet kinse se ia kishte kërkuar ky profesor, ndërsa 400 tjera janë pajtuar të dorëzohen pasi ato të sigurohen, por provimin nuk e kaluar.

Sipas aktakuzës, më pas ka filluar t’i ndjek ligjëratat dhe ushtrimet, e pastaj ka plotësuar 11 rubrika destinuar për shënimet e provimeve në index, ku janë kërkuar të dhënat përkitazi më lëndën e provimit, notën e vlerësuar, datën e provimit dhe nënshkrimin e profesorit.

Sipas akuzës, i akuzuari Buja në vazhdim ka kryer veprën penale marrje ryshfetit në ndihmë.

Sipas akuzës, ai me dashje ka kërkuar përfitim nga Albisjan Fazliu për vete dhe një zyrtar të panjohur për një veprim që nuk është dashur ta kryej. Ai thuhet se ka kërkuar 12 mijë euro nga Fazliu me dëshirë që të përfitoj materialisht duke e këshilluar se do t’ia lëshoj diplomën e kryerjes së fakultetit.

Tutje, thuhet se në nëntor të vitit 2013, në restorantin “Pauna” në Lipjan, Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli, kanë kërkuar dhe marr nga e pandehura Rajomnda Borovci shumën prej 5.000 euro për ta regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë në UP gjatë vitit 2012/2013, duke i premtuar se përmes autoritetit të ish-Ministrit të Arsimit, Ramë Buja, do t’i nxitin personat zyrtar të këtij fakultetit të paidentifikuar që e njëjta të regjistrohet në fakultet.

Gjithashtu, thuhet se në shkurt të vitit 2012, në picerinë “Extreme” në Prishtinë së bashku me dashje, Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli, kanë nxitur të pandehurën Hyrije Koraqi që tua jap shumën prej 2.000.00 euro. Këtë thuhet se e kanë bërë duke e bindur se në kundërshtim me detyrat e zyrtarëve kompetent të këtij fakulteti, do t’ia rregullojnë pozitën e saj me kontratë formale, nga kontrata si asistente e angazhuar e kimisë analitike në asistente të rregullt në Fakultetin e Mjekësisë.

Me këto veprime, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale shtytje për veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Abdyl Buja, Rizah Azemi dhe Alban Azemi,  thuhet se me dashje kanë tentuar t’i vënë në lajthim zyrtarët e Fakultetit të Mjekësisë përmes dokumentit të falsifikuar.

Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që në shkurt të vitit 2014, të pandehurit Abdyl Buja dhe Rizah Azemi me vetëdije e kanë dërguar indexin e të pandehurit Alban Azemi te profesori i lëndës Biokomia e Përgjithshme, Luljeta Begolli kinse për ta verifikuar vizualisht nëse nota 6 dhe nënshkrimi janë të saja.

Këtë thuhet se e kanë bërë me dëshirë që pas disa vitesh dështimi, Alban Azemi ta kalojë provimin edhe pse e kanë ditur që Azemi nuk e ka kaluar provimin në bazë të rezultateve të shpallura në afatin e janarit të vitit 2014. Pastaj, thuhet Rizah e Alban Azemi kanë shkuar të Zyrtarja e Lartë për Studime Themelore në Fakultetin e Mjekësisë, Syzana Zejnullahu dhe kanë kërkuar prej saj index duplikant me pretekst se gjoja indexi origjinal është humbur për çka kundër të pandehurit Alban Azemi është iniciuar procedura disiplinore.

Për këto veprime, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme në tentativë”.

Gjithmonë, sipas aktakuzës, Alban dhe Muhib Fazliu, në tetor 2011, sipas marrëveshjes paraprake, Muhib Fazliu i ka dhënë 3000 euro të pandehurit Aldyl Buja si ndëmjetësues kinse për t’ia dhënë personave të caktuar zyrtarë të Fakultetit të Mjekësisë. Për rrjedhojë, thuhet se i pandehuri Albisjan Fazliu më 5 tetor 2011 është regjistruar në vitin akademik 2011/12 duke fituar statusin e studentit të rregullt në këtë fakultet në Degën e Stomatologjisë, për çka i është lëshuar indexi dhe është formuar dosja e tij. Më 30 nëntor 2012, i nëjti ka arritur ta regjistrojë semestrin dhe ndonëse emri i të njëjtit nuk ka figuruar fare në evidencat e profesorëve të lëndëve përkatëse dhe rrjedhimisht nuk i ka dhënë 7 provime.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “dhënie ryshfetit”.

Albisjan Fazliu, akuzohet se në janar të vitit 2012,  një lokal në aftësi të rrethit kryesor të Spitalit në Prishtinë, prej 700 euro të kërkuar nga i pandehuri Adbyl Buja për të ndërmjetësuar te profesor Ymer Halimi që ta kaloj provimin nga lënda Fizikë mjekësore dhe Biofizikë ia ka dhënë 300 euro. Kurse, 400 euro thuhet se i ka mbetur borxh. Këtë provim, thuhet se sipas konfirmit të doktor Ymer Halimit, i njëjti nuk e ka dhënë.

Ai akuzohet se ka ndryshuar dokumentin publik origjinal dhe të falsifikuar e ka përdorur me vetëdije nga data 5 tetor 2011 kur është regjistruar në fakultet. Në aktin akuzues thuhet se me indexin nga pika I e dispozitivit  i ka regjistruar dhe vërtetuar semestrat me radhë deri në semestrin e III të këtij viti akademik 2012/13 të cilin e kishte regjistruar më 30 nëntor 2012. Ndërsa,  thuhet se më 23 tetor 2012, kishte shkuar te zyrtarja Syzana Zejnullahu duke shprehur që indexi i tij të shpallet duplikant me arsyetimin se ishte dëmtuar përmes plotësimit të shënimeve të rrejshme të provimeve.

Me këtë veprim akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit”.

Sipas aktakuzës, Feti Ismajli akuzohet se i ka mundësuar regjistrimin në vitin e parë të studimeve, të pandehurit Albisjan Fazliu në vitin akademik 2011/12, në Fakultetin e Mjekësisë – Dega Stomatologji në Prishtinë. Një gjë të tillë sipas prokurorisë, e kishte bërë pasi që fillimisht kishte vënë në kontakt me Albisjanin dhe babin e tij, Muhib Fazliu, duke i ndihmuar Abdyl Bujës përfitim material, i cili i kishte marrë tre mijë euro nga Muhib Fazliu dhe ia kishte dërguar të akuzuarit Buja, kinse për t’ua dhënë zyrtarëve të këtij Fakulteti.

Më çka, sipas aktakuzës kishte kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Rajmonda Borovci, akuzohet se i ka premtuar tërthorazi të pandehurit Abdyl Buja, për t’ia dhënë 5000 euro që të ndërmjetësoj te zyrtarët e caktuar të Fakultetit të Mjekësisë të UP-së, me qëllim të transferimit të saj prej degës së Infermierisë në degën e Farmacisë, i cili transfer kishte dështuar meqë ka qenë në kundërshtim të plotë me procedurat ligjore.

Shuma prej 5000 euro, sipas aktakuzës i është dorëzuar nga i pandehuri Granit Ismajli te i pandehuri Abdyl Buja.

Me çka, sipas prokurorisë, e akuzuara Borovci ka kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

Granit Ismajli akuzohet nga prokuroria se në mënyrë të tërthortë i ka dhënë ryshfet personit të caktuar ashtu që gjatë nëntorit 2013, kur i pandehuri Abdyl Buja, përmes telefonit i ka kërkuar 5000 euro duke i premtuar që të kryej transferimin e Rajmondës prej degës së Infermierisë në degën e Farmacisë, përmes zyrtarëve të caktuar të këtij fakultetit, 5000 euro ia ka dorëzuar Granit Ismajli, babai i Rajmondës, Kamer Borovci.

Në të njëjtën ditë, i Ismajli në restorantin Pauna në Lipjan, ia ka dorëzuar 5000 euro të pandehurit Abdyl Buja për realizmin e premtimit të dhënë, mirëpo pasi ky ka dështuar së realizuari premtimin kurse paratë nuk ia ka kthyer, Ismajli është detyruar që të huazojë 5000 euro të cilat pastaj ia ka kthyer Kamer Borovcit.

Me këtë rast, sipas prokurorisë, Ismajli ka kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

Për dhënie ryshfeti po akuzohet nga prokuroria edhe Hyrije Koraqi.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Koraqi e kishte bërë pas largimit nga puna si asistente në Fakultetin e Mjekësisë, ashtu që, në shkurt të vitit 2012, në lokalin “Rangonë” në Prishtinë, ia ka dhënë tërthorazi Abdyl Bujës përmes Mentor Ismajlit 1000 euro, për ish-rektorin e UP-së, Mujë Rugova, dekanin e FSHMN-së, Tahir Arbneshi dhe profesor Naser Mrasorin.

Pas kësaj, sipas prokurorisë, Koraqi kishte filluar punën sipas kontratës për semestrin 1 prej 1 tetorit 2011 deri më 15 shkurt 2012 e pas kërkesave të vazhdueshme për t’ju dhënë prej 4000 deri më 20.000 euro, Koraqi sipas aktakuzës, ua kishte dhënë 1000 euro të pandehurve Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli në picerisë “Extreme”, në Prishtinë.

Pasi që ishin larguar nga piceria, në oborrin e Fakultetit të Mjekësisë, Koraqi ia kishte dhënë të pandehurit Ismajli edhe 1000 euro.

Tutje, sipas aktakuzës, më 7 mars 2012, i pandehuri Ismajli i kishte thënë Koraqit se nuk është bërë kontrata sepse nuk ka kryer pagesën për lidhjen e kontratës dhe për pasojë Koraqi nuk ka punuar deri në shtator 2012 kur është ri pranuar për asistente e angazhuar por jo e rregullt. Në shtator 2013, i pandehuri Buja ia kishte kthyer 2000 euro Koraqit, por të cilat ia kishte marr nga dora i pandehuri Ismajli kinse për të verifikuar origjinalitetin, e pastaj ia ka kthyer 1500 euro Koraqit, ndërsa 300 i ka ndal për veti e 200 i ka ndarë për Bujën.

Me çka, sipas aktakuzës, Koraqi ka kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme