Kim Mehmeti: ‘Vëllai’ i Piktorit – Vuçiqi, ishte dhe mbeti projektues i ferrit e jo i parajsës

 Nga Kim Mehmeti
Vuçiqi është politikanë i dalë nga gjaku i luftërave të Millosheviqit kundër popujve joserb të këtyre hapësirave dhe ai gjak, herë pas herë, atë e ndjellë!
Presidenti i Serbisë është i dalë nga kapota e Millosheviqit dhe është një nga zbatuesit e politikës shoviniste serbe, që kishte për qëllim shfarosjen e popujve joserbë e joordodoksë.
Vuçiqi është president e një shteti kishtarë, që edhe në të shkuarën edhe sot, zbaton projektet e Kishës Ortodokse Serbe, shumica e priftërinjtë të së cilës, edhe sot, njësoj si dikur, nga do që shkojnë kryesisht mbjellin urrejtje ndaj besimtarëve të feve tjera.
Viçiqi i takon asaj klase politikanësh serb që nuk hoqën dorë nga projektet sërbomëdha të Millosheviqit e të Kishës Ortodokse Serbe pse ato sollën gjakderdhje, por pse ‘Kasapi i Ballkanit’ nuk e realizoi Serbinë e madhe pa jo serb, e pa jo ortodoksë në të.
Pra Presidenti i sotëm serb, si edhe shumë burrështetas tjerë të Serbisë, nuk e fajësojnë Millosheviqin pse ai i filloi luftërat e përgjakura në Ballkan, por pse ato i humbi.
Dhe është e pritshme që një njeri i tillë të bëjë gjumë në shtratin e paqëndërtuesit, por të sheh ëndrra luftarake.
Madje është e pritshme që një njeri i tillë edhe paqen ta ndërtojë duke u armatosur, duke u bërë gati për luftë, e jo për paqe, ashtu siç bënë sot Serbia kur për çdo ditë armatoset, e ne dhe bota shtiremi se këtë nuk e shohim.
Më në fund edhe nuk mund të ndërtosh parajsë me projektuesit e ferrit dhe nuk mund të ndërtosh paqe me një njeri i cili dhjetë ditë pas gjenocidit në Srebrenicë, pra me 20 korrik të vitit 1995, si deputet, nga foltorja e parlamentit serb, e paralajmëroi tërë botën se për çdo serb të vrarë, ata do vrisnin 100 mysliman?!
Andaj edhe nëse është e mundur të pajtohesh se s’mund ta ribësh të shkuarën, është idiotizëm të bësh atë që bënë Piktori i ‘Rilindjes’ dhe ish Presidenti i Kosovës që përfundoi në Hagë – të vëllazërohesh me një burrështetas që karrierën politike e ka ndërtuar duke ecur udhëve të lagura me gjakun e të pambrojturve dhe duke i fshehur varrezat masive të shqiptarëve, që kishin vetëm një faj – pse nuk ishin serb dhe pjesëtarë të kishës ortodokse serbe.
Por në gjithë këtë histori ka diçka të dhembshme dhe poshtëruese për ne shqiptarët, e që ka të bëjë me atë se përderisa myslimanët e Bosnjës, në vitin 2015, nuk pranuar që Vuçiqi të merrte pjesë në përkujtimin e viktimave të Srebrenicës, si dhe, përderisa kroatët as që mund ta imagjinojnë që Vuçiqi të shëtit lirshëm nëpër vendbanimet e tyre, Kryeministri i Shqipërisë, atë e priti në Tiranë si të ishte një nga nënshkruesit e pavarësisë së Shqipërisë dhe të Kosovës.
Pra e priti dhe u vëllazërua me të thuajse ishte një nga burrështetasit që u pajtuan ta bombardonin Serbinë, për t’i shpëtuar shqiptarët nga gjenocidi serb, e jo një nga ata që përkrahnin projektet për spastrime etnike të Kosovës dhe Bosnjës.
Dhe çka mund të thuash pas kësaj, si mund të ndjehesh mirë si shqiptar kur e sheh se si Kryeministri i shtetit tënd amë, e trajton Vuçiqin si të ishte heroi i shqiptarisë, e jo mbështetës i politikave dhe projekteve antishqiptare!?
Dhe gjithë këtë Piktori sot na e shet si vlerë perëndimore, duke na llogaritur për aq budallenj sa të besojmë se janë të prapambetur, e jo të civilizuar, popujt që duan drejtësi, si për shembull hebrenjtë, të cilët edhe kaq vite pas Luftës së Dytë Botërore, u shkojnë hap pas hapi vrasëseve të tyre nazistë.
Pra vetëm burrështetas si Piktori mund të bëjnë të paparën e të padëgjuarën: në vend që të ngrenë aktakuzë e padi kundër Vuçiqit dhe shumë burrështetasve tjerë serb, ai e paditi Kryeministrin e Kosovë?!
E tani ne habitemi pse ka qarqe perëndimore që bëjnë çmos ta barazojnë viktimën shqiptare me kriminelët serb, gjë të cilën e ndihmuan edhe burrështetasit shqiptarë, siç janë Piktori dhe ish Presidenti i Kosovës, të cilët u ‘vëllazëruan’ me Vuçiqin edhe pse e dinin se ai kishte dalë nga gjaku i luftërave të fundit ballkanike.
Pra ne tani habitemi pse luftëtarët tanë të UÇK’së, disa qarqe Perëndimore, i akuzojnë duke përdorur te dhënat e policisë kriminele serbe, e jo ato të viktimave shqiptare.
Dhe ne shtiremi se nuk e shohim se përballemi me paradokset tona, se jemi viktima të inferioritetit të burrështetasve tanë, që i çon ata të shkelim edhe mbi kufomat e viktimave tona të pafajshme, vetëm që të jenë të pëlqyer nga të huajt.
Kim Mehmeti

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme