Gani Thaçi, vëllai i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, po vazhdon të qëndrojë në Policinë e Kosovës, për tu intervistuar për përleshjen fizike që ka ndodhur sot, e që i përfshirë në këtë incident ishte edhe ai.
Zëvendësprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ibrahim Berisha, tha për ‘Gazeta Blic’, se rasti ende nuk ka kaluar në prokurori, dhe që Gani Thaçi, po vazhdon të intervistohet nga policët.
“Gani Thaci, është i ndalur në polici që të intervistohet për rastin që ka ndodhë, prokurori kujdestar për hatër të asaj që të mos bëhet asnjë shkelje e ka çu, dhe aty është duke vazhduar intervistimi. Ende nuk kanë përfundu procedura hetimore në polici, ata kanë të drejtë të marrin ndonjë avokat dhe të presin pak deri sa të intervistohen palët. Në prokurori ende nuk ka ardhë rasti, sepse ende nuk është përgatitur kallëzimi penal”, tha Ibrahim Berisha për ‘Gazeta Blic’.
Ndërkohë, nga Zyra për informim të Policisë së Kosovës kanë thënë se sot rreth orës 12:00, policia ka marrë informacionin se në rrugën Lidhja e Pejës, në Prishtinë, ka ndodhur një përleshje fizike mes tre personave.
“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore te cilat konform rekomandimeve te prokurorit te shtetit i cili po ashtu ka dale ne vendin e ngjarjes, po ndërmarrin veprimet e mëtutjeshme hetimore e procedurale”, ka deklaruar Flora Ahmeti për “Gazeta Blic”.



