NIKOLETA KOVAÇI/ Janë 13 vite zemërim, mëri, përplasje dhe akuza të ndërsjella mes dy vëllezërish, besimtarë dhe biznesmenë, të vendosur në mesin e Tiranës, duke u ndarë, kështu, jo vetëm në të përbashkëtën e shenjtë, por edhe në jetë.
Njëri kishte zgjedhur degradimin, tjetri zgjodhi hakmarrjen, atë më të egrën, të ngriturit dorë mbi të vëllanë, duke i marrë jetën atij dhe gruas së tij dhe duke lënë jetimë tre fëmijët e tyre dhe nipat e tij! Po ashtu, duke braktisur veç nipave jetimë edhe 6 fëmijët e tij!
Kjo është thuajse gjithçka që ka ndodhur mes djemve Muskurti, që përfundoi dje në mënyrën më tragjike, ndërsa që të dy janë emra të njohur në Tiranë, jo vetëm falë aktivitetit të tyre tregtar, por edhe falë impenjimit në besim! Autori është vënë në pranga, ndërkohë janë hedhur edhe pistat kryesore në të cilat pritet të operojë grupi hetimor për të hedhur dritë mbi një krim të paralajmëruar prej shumë vitesh, por si gjithnjë, askush nuk ua vë veshin deri në momentin kur ndodh gjëma e madhe, si ajo e djeshmja, vetëm pak metër nga qendra e Tiranës!
PËRNDJEKJA
Ka qenë thuajse në kufijtë e së pabesueshmes përndjekja që i bëhej Arsen (Hamza) Muskurtit në rrjetet sociale muajve të fundit. Një mori postimesh ofenduese, video dhe fotomontazhe mbushur me sharje që publikoheshin rregullisht nga një profil në “Facebook”. Me dhjetëra mesazhe, si pjesë e një fushate denigrimi ishin intensifikuar, ndërkohë bëhej me dije se ndaj tij u hodhën edhe akuza për ngacmime seksuale. Në këtë fushatë përmendej edhe bashkëshortja si një grua amorale, implikimi në marrëdhëniet me punonjëset e kompanisë, apo sharjet për fëmijët e mitur.
Madje, ai për të bindur publikisht njerëzit se nuk ishte ashtu siç po e bënin njerëzit e familjes së tij, një ditë, më saktë pas 20 gushtit ai kishte marrë punonjëset e tij, 11 femra të punësuara në dyqanet e tij në Tiranë dhe kishte kërkuar të deklaronin para noterit nëse kishin pasur kurrë ngacmime prej tij. Dokumentet e këtij akti janë publike, ndërkohë që Arsen Muskurti, i vënë nën sulm frontal në rrejte sociale ka fajësuar të vëllanë dhe kunatën-fajësim që duket që solli edhe zemërimin e për të marrë armën dhe për të vrarë Dritanin dhe Norën, vëlla dhe kunatë!
U tha se gjithçka kishte nisur si një konflikt për pronën kur dy vëllezërit kishin ndarë kompaninë e përbashkët dhe banesën e familjes, por më i madhi duket se kishte mbetur i pakënaqur. Konflikti vazhdonte prej vitesh, sipas atyre që i njohin, në rrugën “Islam Alla”. Por kohët e fundit, vëllai më i vogël, Hamzai e kishte parë veten si viktimë të një serie sulmesh në rrjetet sociale nga një profil me emrin “Visiana Dada”.
NGJARJA
Diku rreth orës 16:40 minuta, Arsen Muskurti del në rrugicën “Islam Alla”. Duke ecur me hap normal ai vjen në dyqanin ku me sa duket e dinte se do të ishin bashkë vëllai dhe kunata. Shtyn derën, hyn brenda i qëllon dhe me të njëjtin hap del dhe merr rrugën nga kishte ardhur. Një grua kalon pa e vënë re skenën, kurse një burrë nga ana e poshtme e rrugës vëren se në fakt aty kishte ndodhur diçka. Afrohet te dritarja, shikon se Dritani dhe Nora ishin të shtrirë dhe të pajetë dhe i kërkon një fqinjës së tyre përballë që të lajmëronte Policinë. Policia që shkoi më pas në vendin e ngjarjes mori të dhëna se autori ishte pikërisht vëllai i Dritanit, Arseni. Nisën kërkimet, por fakti që ai kishte marrë armën e krimit me vetë dhe falë edhe profilit të tij, Policia e Tiranës kërkoi “ndihmën” e RENEA-s për të bërë të mundur kapjen e tij. Rreth dy orë më vonë, ai u kap në zonën e “5 Majit”, vend në të cilin ai ka një aktivitet tregtar si rrjet të disa dyqaneve.