Në maj udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s do të mblidhen në Bruksel në Samitin e radhës. E në shërbim të këtij Samiti, në kryeqytetin belg zhvillohet Ministeriali i Aleancës, ku merr pjesë edhe ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati.
“Bisedime frytdhënëse në ministerialin e NATO-s në Bruksel në përgatije të Samitit të muajit maj. Rikonfirmuam rëndësinë e Aleancës transatlantike, ramë dakord për një angazhim të përforcuar të Aleancës në luftën kundër terrorizmit, për të vijuar me rritjen e buxheteve të Mbrojtjes, si dhe për një vëmëndje të shtuar në Ballkan ku roli i aktorëve të tretë ndikon në përkeqësimin e situatës së sigurisë”, thotë kryediplomati shqiptar.
Në kuadër të përpjekjeve për një shpërndarje më të drejtë të përgjegjësive brenda aleancës, Shqipëria ka rritur buxhetin e mbrojtjes në vitet 2016-2017, si dhe investimet për modernizimin e Forcave të Armatosura, shkruan Top Channel.
“Kontributet tona, konkrete dhe në rritje, e rendisin Shqipërinë krah aleatëve dhe partnerëve më aktivë në misionet dhe operacionet e NATO-s, duke përfshirë Afganistanin, Kosovën, detin Egje dhe së shpejti Letoninë”, thotë Bushati.
Ministri i Jashtëm shton se vëmendja e shtuar e NATO-s në rajonin tonë mbetet thelbësore për t’u bërë ballë sfidave të sigurisë me të cilat po përballet së fundmi Ballkani Perëndimor.