Vendi u përfshi nga moti i keq me reshje shiu, vetëtima dhe erë të fuqishme. Nga stuhia e fuqishme disa pemë në lagjen Aerodrom përfunduan në rrugë, ndërsa në disa rajone pati edhe breshër. Enti Hidrometeorologjik gjatë ditës doli me paralajmërim të jashtëzakonshëm se moti i paqëndrueshëm po lëviz nga rajoni i Pollogut drejt rajonit të Shkupit dhe Kumanovës. Sipas parashikimeve edhe gjatë mbrëmjes moti do të jetë i paqëndrueshëm. Në disa rajone reshjet do të jenë më intensive. Stabilizim i motit pritet nga e hëna. Ndërkohë një stuhi e fuqishme ka përfshirë edhe Kosovën. Shiu dhe erërat e forta dëmtuan rrjetin elektro-energjetik në pesë komuna të Kosovës edhe atë në Gjakovë, Prizren, Ferizaj, si dhe në një pjesë të Pejës dhe Prishtinës. Stuhia ka shkaktuar dëme në Prishtinë. Në rajonin e Rahovecit rrugët u vërshuan. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës reshje edhe më intensive parashihen për të dielën, kur do të ketë edhe shkarkime rrufesh. Shira kishte edhe në pjesë të Shqipërisë. Pushuesit janë larguar nga plazhi në Shëngjin si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme. /Alsat.mk