Vendimi i GJK për mbylljen e “TikTok”, familja e Martin Canit: Djali ynë nuk u vra nga rrjetet sociale! Tragjedia u përdor për censurë

Familja e ndjerit Martin Cani, i cili humbi jetën në tetor të vitit 2024, pasi u godit me thikë nga një bashkëmoshatar pranë shkollës “Fan Noli”, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e ka cilësuar antikushtetues vendimin e qeverisë për mbylljen e rrjetit social “TikTok”, duke vlerësuar se me këtë vendim u cenua liria e shprehjes.


Në një deklaratë zyrtare, familja Cani shprehet se vendimi i Kushtetueses konfirmon atë që, sipas tyre, kanë thënë që nga dita e parë, se Martini nuk humbi jetën për shkak të rrjeteve sociale, por si pasojë e dështimit të institucioneve.

Sipas familjes, mbyllja e TikTok-ut u përdor si një justifikim për të shmangur përgjegjësinë për problemet reale që, sipas tyre, lidhen me mungesën e sigurisë në shkolla dhe me dështimet e sistemit shtetëror.

“Ky vendim demaskon hipokrizinë e një qeverie që, në vend që të mbante përgjegjësi për dështimet e saj, zgjodhi të përdorte gjakun e djalit tonë si pretekst për censurë dhe manovra politike. Ndërsa shteti merrej me mbylljen e aplikacioneve, dështimi i tij sistematik vazhdoi të prodhonte viktima: fillimisht një i mitur në Maliq dhe së fundmi një tjetër jetë e këputur në Durrës”, shkruajnë ata.

Sipas familjes, ndërkohë që institucionet janë fokusuar në masa që ata i cilësojnë “kozmetike”, siguria në shkolla mbetet problem serioz dhe bashkëpunimi me prindërit është i pamjaftueshëm.

Reagimi i plotë:

Familja e Martin Canit mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese që shpalli sot antikushtetues mbylljen e rrjetit social TikTok, duke konfirmuar zyrtarisht atë që ne kemi bërtitur me dhimbje që nga dita e parë: Martini nuk u vra nga TikTok!

Ky vendim demaskon hipokrizinë e një qeverie që, në vend që të mbante përgjegjësi për dështimet e saj, zgjodhi të përdorte gjakun e djalit tonë si pretekst për censurë dhe manovra politike. Ndërsa shteti merrej me mbylljen e aplikacioneve, dështimi i tij sistematik vazhdoi të prodhonte viktima: fillimisht një i mitur në Maliq dhe së fundmi një tjetër jetë e këputur në Durrës.

Të vërtetat ulëritëse që po vrasin fëmijët tanë janë:

Sistemi Arsimor i Falimentuar: Martini u vra nga një thikë e një bashkëmoshatari në një mjedis ku siguria në shkolla nuk ekziston dhe institucionet nuk marrin asnjë masë parandaluese.

Papërgjegjshmëria e Shkollës: Djali ynë u vra sepse shkolla nuk njoftoi prindërit për incidentet e mëparshme, duke na hequr mundësinë për të parandaluar tragjedinë.

Krimet e Sistemit Shëndetësor: Martini u vra nga protokolle absurde që e dërguan në spitalin më të largët kur QSUT ishte vetëm 3 minuta larg. Ai u vra sepse në Spitalin e Traumës mungonin kardiokirurgët dhe pajisjet bazë si zemër-mushkëri për të riparuar zemrën e tij.

Propaganda në vend të Sigurisë: Qeveria u mjaftua me “reforma kozmetike” për opinionin publik, ndërkohë që siguria në shkolla mbetet në zero dhe bashkëpunimi me familjet është inekzistent.

Mjaft me manipulime! Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe as nuk shpëton jetë. Martini, Eraldi ne Maliq dhe Erjoni në Durrës nuk u vranë nga rrjetet sociale; ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjshmëria institucionale dhe nga dështimi total i shtetit që duhet t’i mbronte.

Ne nuk do të heshtim!

Kërkojmë DREJTËSI PËR MARTININ dhe për çdo fëmijë tjetër që ra viktimë e këtij sistemi të kalbur. Nuk do të lejojmë që emri i djalit tonë, një futbollist me ëndrra dhe një shpirt i pastër, të përdoret më si mburojë për dështimet tuaja.

Zëri ynë bashkohet me çdo familje që sot derdh lot. Kërkojmë veprime, jo fjalë! Kërkojmë siguri, jo censurë!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme