Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese vendimin e Ramush Haradinajt për rritjen e pagave të gjithë kabinetit të tij.
Thotë se ky vendim i kryeministrit është jokushtetues.
“Vendimin e kundërligjshëm dhe të padrejtë për rritjen e pagave në emër të deputetëve të grupit tonë parlamentar, si dhe me mbështetjen e tre deputetëve tjerë të opozitës, sot e kam dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Ky vendim është jokushtetues edhe për shkak se ka ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit si autoritet legjitim, por edhe për shkak se është në shpërputhje me gjendjen socioekonomike. Pas vendimit të drejtë të AKK-së edhe Gjykata Kushtetuese duhet së pari të vendosë për masë të përkohshme, pra ta pezullojë këtë vendim deri në shfuqizim të tij”, shkruan Haxhiu në “Facebook”.
Ky reagim i deputetes së “Vetëvendosjes”, si dhe grupit të saj parlamentar të Kuvendit të Kosovës, erdhi pasi Agjencia kosovare Kundër Korrupsionit e ka shpallur të jashtëligjshëm vendimin e Ramush Haradinajt për rritjen e pagave të kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë qeveritarë.