Deri të enjten, do të dihet nëse në Prishtinë do të ketë rinumërim të tërësishëm të votave, ashtu siç ka kërkuar LDK-ja.
Shefi i Sekretariatit të PZAP-së ka konfirmuar se nga e hëna në këtë organ është deponuar ankesa e LDK-së, që kërkon rinumërim, derisa ka thënë se brenda 72 orësh, gjyqtarët e panelit do të vendosin për të. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka deklaruar se do t’i përmbahen çfarëdo vendimi që sjell PZAP-ja.
Ndërkohë, ajo që dihet deri tash është se me vendim të KQZ-së, në rinumërim ka shkuar vetëm një vendvotim nga Prizreni, derisa është vendosur që të anulohen 22 zarfe të fletëvotimeve me kusht, për shkak të mungesës së nënshkrimit të votuesve në listë.
Ende nuk dihet se kur do të nisë numërimi i kutive me kusht, por anëtarët e KQZ-së kanë kërkuar që të ketë transparencë maksimale. Ndërkohë, në raportimin e tij para KQZ-së, Burim Ahmetaj nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ka thënë se ka arritur në 98 për qind procesimi i formularëve.