Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Nezir Çoçaj, sot ka lënë mandatin e deputetit, por vendin e tij do ta zë Rafet Rama.
Ai ka thënë se këtë e bënë për arsye personale. Por kur ka kërkuar falje votuesve të vet ka thënë se është i sigurt se me qëllim dhe me vetëdije nuk ka dashur asnjëherë t’i lëndojë me veprimet apo me mosveprimet e tij.
Pas dorëheqjes së Çoçajt, në vendin e tij do të jetë anëtari tjetër i PDK-së, Rafet Rama i cili në zgjedhjet e përgjithshme më 11 qershor ka arritur të marrë 8,821 vota.
Ligji mbi zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës thotë se një anëtar i Kuvendit të Kosovës, mandati i të cilit përfundon në pajtim me nenin 112, pika 1, zëvendësohet nga kandidati i ligjshëm në radhë, i së njëjtës gjini, i cili ka fituar numrin më të madh të votave të listës së riorganizuar të kandidatëve të subjektit politik, në emër të së cilës ka garuar anëtari.
Rafet Rama në shkurt të 2016-ës kishte qenë kundër-kandidati i Hashim Thaçit për president të vendit. Gjatë viteve të ’90-ta, Rama ka qenë Komandant Batalioni në Brigadën 114 ‘Fehmi Lladrovci’ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.