Verë e vështirë për Kosovën, veç COVID-19 pritet të përballet edhe me viruse tjera

Klinika Infektive në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), është e gatshme që të përballet me çfarëdo virusi.

Kosova si e gjithë bota është duke u përballur me koronavirus dhe momentalisht në Klinikën Infektive janë të shtrirë vetëm 15 pacientë me COVID-19 nga 865 sa janë gjithsej të infektuar me këtë virus në Kosovë.

Drejtoresha e Klinikës Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, Lindita Ajazaj-Berisha, ka bërë të ditur për lajmi.net, se klinika që ajo udhëheq është e përgatitur për çdo patologji të mundshme.

E pyetur se a është e gatshme Klinika Infektive që të përballet me virusin e Nilit Perëndimor në rast se shfaqet ai, Ajazaj-Berisha, ka thënë se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet.

Madje Ajazaj-Berisha ka thënë se edhe sot nëse paraqitet ndonjë rast me virus të Nilit Perëndimor janë të gatshëm që ta trajtojnë.

“Për momentin jemi duke u përballur me COVID-19, por jemi duke u përgatitur edhe për patologjitë tjerë. Sepse tash nuk e kemi vetëm Nilin, mundemi ta kemi edhe ethe hemorragjike e mund të kemi edhe patologji të tjera, kështu që jemi duke u përgatitur dhe jemi të gatshëm. Në rast të paraqitjes së ndonjë rasti jemi të gatshëm. Veçse kemi filluar përgatitjet. Sot me na ardhë një rast ne jemi të gatshëm me e menaxhua”, ka deklaruar Ajazaj-Berisha për lajmi.net.

Sipas Institutit Kombëtare të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) deri sot në vatrat endemike (Malishevë, Suharekë, Rahovec, Prizren, Mamushë) janë raportuar 285 pickime nga rriqrat.

“Komuna e Malishevës këtë javë po trajnon personat për dezinfektim selektiv dhe menjëherë pas kryerjes së trajnimit fillon dezinsektimi i vendbanimeve për asgjësimin e rriqrave!”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Mirëpo Ajazaj-Berisha ka bërë të ditur për lajmi.net se deri më tani nuk ka asnjë rast në Klinikën Infektive për ethe hemorragjike.

“Rastet që kanë qenë me pickime të rriqrave, po raste të dyshimta për ethe hemorragjike-Krime Kongo, nuk kemi pasur, por edhe këto i kemi parashikuar”, ka bërë të ditur Ajazaj-Beriza.

Theksojmë se deri më tani në Kosovë janë 856 persona të prekur me koronavirus, 26 të vdekur dhe 490 persona kanë arritur që të shërohen nga COVID-19.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme