Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se reshjet e pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime lokale në disa zona të vendit.
Sipas IHMK-së, reshjet, të cilat kanë intervale dhe intensitet të ndryshëm, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim. Kjo mund të shkaktojë vërshime lokale, probleme në komunikacion, vështirësi në trafik, si dhe pengesa në sistemet e kanalizimit.
Aktualisht, lumenjtë kryesorë të vendit, veçanërisht ata në pjesën qendrore, lindore dhe jugore, përfshirë Ibrin, Sitnicën, Lepençin dhe Moravën e Binçës, shfaqin ngritje të lehta të nivelit të ujit.
Instituti ka bërë thirrje që qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të shmangin kalimin përmes rrugëve të përmbytura dhe të ndjekin njoftimet e autoriteteve për situata emergjente. /Telegrafi/



