Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme e cila dështoi të mbahet, në një konferencë për shtyp ka kërkuar përkrahjen e të gjithëve për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, shkruan Periskopi.
Veseli ka thënë që deri të mërkurën çështja e Demarkacionit duhet të mbyllet.
“Dua që të jemi unik për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit për Malin e Zi. E falënderoj ambasadorin amerikan. Duam që deri të mërkurën(28 shkurt) çështja e Demarkacionit të përfundojë .Jemi në rrugë të mirë. Kërkojë ndihmën e të gjithëve dhe të deputetëve të cilët donë shtetin dhe atdheun e vet”, ka deklaruar Veseli.
Sipas tij duhet që marrëveshja të ratifikohet, që t’i hapen rrugët Kosovës drejt integrimit Evropian dhe liberalizimit.
“Nuk ka patriotizëm ma të madh se sa me e votu ratifikimin e marrëveshjen e Demarkacionit. T’ia hapim rrugët Kosovës ne vend të debateve shterpe. Kosova duhet të lëviz lirshëm, dhe të mos jetë e lënë anash”, është shprehur Veseli, shkruan Periskopi.
“Gjithë përpjekja ime është , arritja e një konsensusi nacional. Të jemi unik në séance, dhe besoj se do të arrijmë. E kemi dëshmuar këtë edhe në të kaluarën. I gjithë spektri duhet ta votojmë. Lista Serbe është faktor politik në Kosovë, ne i respektojmë. Ata e duan Kosovën, serbët duan liberalizim të vizave./Periskopi/