Veseli dhe Mustafa s’mendojnë për dorëheqje

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk pritet t’i ndërrojnë liderët, pavarësisht se nga zgjedhjet e 11 qershorit kanë dalë me humbje të madhe të votave në raport me zgjedhjet e vitit 2014.
Kadri Veseli dhe Isa Mustafa do të vazhdojnë ta mbajnë “timonin” e partive, ndonëse nën drejtimin e tyre këto parti arritën rezultate jo të kënaqshme, derisa partia opozitare, lëvizja “Vetëvendosje”, arriti të dyfishohet në këto zgjedhje, shkruan “Zëri”.

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, nuk preferon të flasë për numrin e deputetëve që do ta ketë në Kuvend kjo parti, duke u arsyetuar se Kadri Veseli ka krijuar dhe ka udhëhequr koalicionin i cili i ka fituar zgjedhjet e 11 qershorit, koalicion, sipas tij, që do t’i udhëheqë institucionet e vendit në mandatin e ardhshëm.

“Lidershipi i Kadri Veselit është i pakontestueshëm. Si PDK ne e kemi kuptuar drejt mesazhin e votuesve tanë tradicionalë dhe të tjerëve dhe në këtë kuadër do t’i bëjmë analizat e nevojshme për vazhdimin e rrugës së reformave të nevojshme për fazën e ardhshme, qoftë në institucionet e vendit, qoftë brenda strukturave partiake”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë kanë ardhur për shkak të pabesisë nga ana e PDK-së. Ai ka thënë se në këto zgjedhje LDK-ja ka dalë partia e dytë në vend.

“Pabesia e PDK-së na ka dërguar në zgjedhje. Në këto zgjedhje LDK-ja ka dalë e dyta, larg nga PDK-ja. LDK-ja e ka ruajtur nivelin e qytetarëve. Është fakt që nuk kemi mundur të rritemi më shumë, por krejt çka duhet të bëhet është që LDK-ja kërkon angazhim, riorganizim dhe të bëhemi gati për zgjedhjet lokale”, tha Haziri.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme