Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka bashkëbiseduar në Istog me ekspertë të agro-kulturës nga të cilët ka marrë ide për fuqizimin e këtij sektori.
Eksperti i agro-kulturës Halit Avdiaj i cili udhëheqë qendrën më të madhe grumbulluese të bimëve dhe frutave të malit që përdoren edhe për shëndetësi, ka propozuar që fermerët kosovarë më shumë të orientohen nga mbjellja e kulturave të reja të cilat japin përfitime më të mëdha dhe për të cilat sipas tij ka treg të sigurt të shitjes.
Ai ka dhënë edhe shembuj konkret se sa mund të përfitohet nga mbjellja e një hektari tokë me hithi.
“Gjashtë mijë euro është përfitimi në një hektarë. Por përparësia është se hithi është bimë shumëvjeçare. Nuk ke shpenzime më asnjëherë. E mbjellë njëherë dhe e kositë së paku katër herë në vit dhe për dhjetë vite nuk ke nevojë ta bësh asnjë shpenzim”.
Edhe fermeri Florim Demaj, i cili kultivon disa lloje të bimëve tha se fermerët duhet të orientohen nga mbjellja e tokave me kultura të reja që sjellin më shumë përfitime.
Ai kërkoi subvencionim të kulturave të reja bujqësore, ndërsa siguroi fermerët se me këto kultura tregu i shitjes është i garantuar.
“Nëse i subvencionon qytetarët në këtë formë çfarë ne po kërkojmë, besoj se nuk do të mbesë asnjë grimë tokë pa punuar. Tregu është i sigurt. Domethënë çdo gjë që e mbjell shitjen e ke të garantuar”, tha Demaj.
Pasi dëgjoi idetë e ekspertëve dhe fermerëve, kryetari Veseli tha se investimet në bujqësi do të dyfishohen, ndërsa u bëri thirrje fermerëve që të marrin shembuj të mirë të suksesit për të orientuar veprimtaritë e tyre në fushat bujqësore që japin sa më shumë profite.
“Do të intensifikohet përkrahja po e përsërisë sërish, për njerëzit që punojnë dhe i mbajnë familjen me djersën e vet. Paratë e taksapaguesve dhe buxheti i Republikës së Kosovës andej do të orientohet. Kjo për arsye se është i vetmi vend dhe sektor ku investohet dhe shumëfishohet”, ka thënë kryetari Veseli.