Kryetari i Kuvendit të Kosovë, Kadri Veseli, bashkë me zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj e Dardan Gashi po qëndrojnë sot për një vizitë në Tiranë.
Takimin e parë ata e patën me ish-presidentin e ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Në prononcimin pas takimit, Veseli nga Tirana dha një mesazh me anë të të cilit ftoi pozitën e opozitën në Kosovë për unitet.
“Kosova është shtet i pavarur e sovran. Askush nuk mund ta dëmtojë Kosovën e të ndërtojë Republikë Srpska në Kosovë, nëse në pozitë e opozitë jemi bashkë. Ky është mesazhi qe duam të përçojmë. Kemi nevojë për unitet. Të dërgojmë mesazh edhe tek opozita. Kosova ka nevojë të jetë bashkë në finalen e madhe”, citon Veselin.
Sipas tij Limaj është personaliteti që e kemi zgjedhur, i cili mund të afrojë edhe pozitën edhe opozitën në këtë drejtim.
Ndërsa nikoqiri i këtij takimi, ish-presidenti e ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se dialogu e marrëveshja janë me një rëndësi të madhe për rajonin në tërësi.
“E shfrytëzoj rastin për të dënuar publikisht qëndrimin e Aleksandar Vuçiq, i cili erdhi me dy flamuj, me flamurin e Serbisë së Madhe të Millosheviqit , dhe erdhi me flamurin e doktrinës të Vaso Çubrilloviqit, i cili në çdo takim dhe mbledhje fliste vetëm për demografi dhe pyeste se sa shqiptarë janë, sikur të ishin alienë shqiptarët dhe jo banorë mijëra vjeçar në trojet e tyre. Edhe njëherë i bëj thirrje këtij komuniteti ndërkombëtar, të studiojnë vizitën e tij, se cili është ky qaraman, se ky është burrë shteti që rrin dhe qahet në çdo vend bënë viktimën në ndërkohë kur ai është një Millosheviq i dytë, plus një Çubrilloviq”, tha Berisha sot në Tiranë pas takimit që pati me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi.
Sipas Berishës integriteti territorial, sovraniteti i Kosovës nuk mundet të jetë në asnjë rrethanë çështje diskutimi.
“Një Republika Srpska është mekanizëm i shpifur i Beogradit për destabilizim”, tha Berisha.
Edhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj tha se duhet të ndërtohet grupi i unitetit, pasi që, sipas tij, vetëm të bashkuar dhe unikë Kosova do të ecë përpara.