Veseli i jep përkrahje shefit të ri të Kundër Korrupsionit

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim kryeshefin e ri të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, i cili që nga 24 Shtatori 2016 merr detyrën e re.

Veseli i ka ofruar mbështetje të plotë kreut të ri të Agjencisë Kundër Korrupsionit, duke e inkurajuar për të punuar sa më shumë në luftën për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, transmeton Koha.net.

Ai tha se Agjencia Kundër Korrupsionit do të ketë përkrahjen e Kuvendit në realizimin e strategjisë së saj. Ndërsa duke folur për punën e deritashme në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Veseli ka vlerësuar punën dhe angazhimin e kryeshefit të deritashëm të kësaj agjencie,Hasan Preteni.

Nga ana e tij, kryeshefi i ri i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli ka siguruar se do të vazhdojë punën dhe realizimin e objektivave të Agjencisë.

Ai tha se Agjencia Kundër Korrupsionit do të jetë e hapur për bashkëpunim dhe me Kuvendin dhe Komisionet Parlamentare për të realizuar sa më mirë objektivat e Agjencisë në përputhje me legjislacionin e vendit.