Veseli: Kosova është e gatshme për ushtri

E shtune, 22 Tetor 2016  –  Sakte.net

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në hapjen e Seminarit të 93-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili po mbahet në Prishtinë, me pjesëmarrjen e rreth 100 mysafirëve, duke përfshirë gati 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.

 

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Veseli foli për angazhimet konkrete të institucioneve të Republikës së Kosovës për ndërtimin e një shoqërie tolerante dhe demokratike, si dhe ngritjen e gjitha kapaciteteve dhe arritjen e standardeve të sigurisë.

Kryeparlamentari Veseli tha se siguria rajonale nuk cenohet vetëm nga mbetjet e së kaluarës apo nga stagnimi ekonomik, por edhe nga kërcënimet globale, sikurse është terrorizmi ndërkombëtar.

“Vendi im qëndron fuqishëm në krah të koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit. Ne kemi marrë masa të rëndësishme, përfshirë edhe ato legjislative, në fushën e luftimit të terrorizmit. Kosova as nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë asnjëherë burim i rekrutimit për terroristët”, theksoi kryetari Veseli.

Në vazhdim të fjalës së tij, kreu i Kuvendit tha se Kosova është duke punuar me vendosmëri në ngritjen e të gjitha kapaciteteve dhe arritjen e standardeve më të bashkëkohore në fushën e sigurisë. Ai tha se Kosova ka arritur përparime në fushën e krijimit të kapaciteteve të sigurisë në nivelin e brendshëm, përderisa është e gatshme të marrë edhe përgjegjësinë e sfidave globale të sigurisë.

“Vendimi që presim të marrin më Kuvendin e Republikës së Kosovës, për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës, do të jetë edhe një shtytje më pozitive në këtë drejtim. Ne falënderojmë partnerët e vendit tonë për përkushtimin dhe ndihëm e vazhdueshme që janë duke na dhënë në përmbushjen e këtyre standardeve”, theksoi ndër të tjera në fjalën e tij, kryeparlamentari Veseli.

Më pas, kreu i Kuvendit u përgjigj edhe në pyetje të përfaqësuesve të vendeve të ndryshme anëtare të NATO-s./GazetaExpress/