Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, thotë se Kosova e pranon vullnetin e qytetarëve të Maqedonisë për emrin shtetëror.
Në një vizitë zyrtare në Maqedoni, ku u prit nga homologu i tij, Talat Xhaferi, që të dy iu kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin masovisht dhe t’i thonë “Po” referendumit të së dielës.
Veseli atje përmendi përkushtimin kosovar në prodhimin e politikave të fqinjësisë së mirë me Serbinë.
Ai tha se marrëveshja finale me Serbinë do të arrihet në mënyrë paqësore dhe jo me konflikt.
Kryeparlamentari i Maqedonisë, Talat Xhaferi, foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe tha se Maqedonia e mbështet këtë dialog dhe marrëveshjet e arritura deri tani.
Xhaferi tha se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ka formuar grup parlamentar në bashkëpunim me Parlamentin e Kosovës, duke konsideruar se ky grup do të shërbejë për zgjerimin e bashkëpunimit mes tyre.