Veseli: Nuk do ta lejojmë politizimin e vdekjes së Astrit Deharit

E mërkurë, 16 Nentor 2016  –  Sakte.net  /

Ka dështuar thirrja e një seance të jashtëzakonshme për rastin e vdekjes së aktivistit të “Vetëvendosjes”, Astrit Dehari, në Burgun e Prizrenit për shkak të tërheqjes së nënshkrimit nga deputeti i PDK-së, Bislim Zogaj, pak orë para shqyrtimit të kërkesës në Kryesinë e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar që të mos politizohet rasti tragjik i vdekjes së Astrit Deharit.

“Dhembja njerëzore dhe tragjedia familjare na bënë bashkë në vdekjen e Astrit Deharit, por në asnjë mënyrë, asnjë tendencë që ka për qëllim politizimin dhe ikjen e realitetit për atë se çfarë ka ndodhur në atë ditë, për vdekjen e një të riut, një veprimtari, aq më tepër një tragjedi familjare kur po bëhet e dyfishtë për një familje. Nuk do të mundë të manipulojë askush as nga pozita e as nga opozita”, ka thënë Veseli, duke kërkuar që të presin përgjigjen e institucioneve në të cilat, sipas tij, duhet të kihet besim i plotë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Madje, me siguri të plotë kreu i legjislativit ka theksuar se këtij rasti do t’i shkojnë deri në fund për ta zbardhur të vërtetën.

“Nëse është nevoja të angazhojmë edhe ekspertë të jashtëm, ashtu siç ia kemi mundësuar familjes, do të shkojmë deri në fund dhe e vërteta do të dihet. Por, nuk është e ndershme me tragjedi të tilla politikisht të manipulohet. PDK-ja dhe Grupi Parlamentar i saj do t’i shkojë deri në fund, çdo qytetar i Kosovës le të jetë i sigurt në këtë, nuk do të lejojmë asnjë njollë, as manipulim në këtë çështje”, ka theksuar ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ku përsëri ka dështuar marrja e vendimit për të mbajtur seancë të re, pasi mungoi kuorumi, meqë nënkryetarja e Kuvendit nga “Vetëvendosja” bashkë me shefin e Grupit Parlamentar lëshuan mbledhjen.

Ndërsa, sot do të jetë vetëm vazhdimi i seancës së kaluar. Pasi kanë lëshuar mbledhjen, nënkryetarja Aida Dërguti e ka quajtur jodemokratike refuzimin për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme, shkruan Gazeta “Zëri”.

“Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme ka të bëjë me vdekjen e dhunshme të Astrit Deharit, të cilën ky Kuvend nuk është i gatshëm që ta diskutojë në një seancë të jashtëzakonshme. Dhe kjo është mënyra më jodemokratike kur nuk lejohet një temë, çfarëdo teme të shtrohet për diskutim në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Dërguti, duke shtuar se tërheqja e nënshkrimit të deputetit të PDK-së u bë pas presionit që i është bërë nga krerët e subjekteve politike të shumicës.

Sipas Dërgutit, në fund të kësaj seance do të dilej me një rezolutë.

“Në fund të këtij debati patjetër që do të dilnim me një rezolutë ku njëra nga kërkesat ka qenë për hetimin e pavarur për rastin ‘Dehari’, ndërkohë që për të tjerat do të bisedonim edhe me grupet tjera parlamentare”, ka theksuar ajo.

Kryesia e Kuvendit kishte dështuar edhe të hënën të merrte vendim për mbajtjen e seancës së re plenare, pasi nuk kishte kuorum.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme