Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot në ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të Ushtrisë së Kosovës, se Shteti ynë nuk e kërcënon askënd, por as nuk do të lejojë askënd të cenojë atë.
Ai tha se integriteti territorial dhe kufijtë e shtetit tonë janë të shenjtë, të paprekshmëm, sot dhe përgjithmonë.
Para kadetëve të rinj, kryeparlamentari Veseli e konsideroi ditën e sotme ditë krenarie për të gjithë, ndërsa të qenit pjesëtarë të ushtrisë më të re në botë, ai e cilësoi privilegj për të cilin do të kenë lakmi gjeneratat që do të vijnë pas.
“Ju jeni pjesë e një force mbrojtëse, të lindur e zhvilluar në partneritet me NATO-n, Aleancën më të fuqishme në botë, garantuese e vlerave të lirisë dhe demokracisë. Ne sot ndihemi krenarë me ju. Ne besojmë në përkushtimin atdhetar dhe profesionalizmin tuaj. Ju e keni nderuar atdheun kudo që keni marrë pjesë në garat ndërkombëtare, njësoj si sportistët tanë. Ju u keni dëshmuar aleatëve tanë seriozitetin dhe gatishmërinë tonë për të qenë pjesë e misioneve të përbashkëta në të mirë të paqes e njerëzimit. Me ju Kosova ndihet më e sigurtë në të tashmen dhe të ardhmen e saj”, theksoi Veseli.
Ai shtoi se Kosova po ndërton një ushtri e cila pasqyron shpirtin liridashës të popullit tonë, vlerat mbi të cilat qëndron shteti i pavarur e sovran i Kosovës dhe vizionin tonë për të marrë vendin që na takon në strukturat politike dhe ushtarake perëndimore.
“Ushtria e Kosovës është sot element i domosdoshëm i stabilitetit dhe paqes në rajon. Ushtria e Kosovës do të vazhdojë procesin e fuqizimit e profesionalizimit të saj, për tu bërë gati për fazën e anëtarësimit në NATO”, theksoi Veseli, duke paralajmëruar rritjen e buxhetit për ushtrinë.
Kreu i Kuvendit tha se ka një ëndërr për ta bërë Kosovën vend të zhvilluar, e të begatshëm për të gjithë qytetarët e saj.
“Ne do t’ia dalim, siç ia kemi dalë gjithmonë. Kosova ka veç një rrugë: rrugën përpara, zhvillim ekonomik, fuqizim të shtetit, integrim në NATO dhe BE. S’ka rrugë tjetër dhe s’do ta lejojmë askënd të na orientojë tjetërkah”, theksoi Veseli.