Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Maja Gojkoviq janë përplasur me deklarata në Lublanë të Sllovenisë për rastin e arrestimit dhe deportimit të Marko Gjuriqit i cili u fut ilegalisht në Kosovë.
Kryetarja e Parlamentit serb e shfrytëzoi fjalën e saj në punimet e Sesionit të Pestë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore ku ishin të pranishëm kryeparlamentarë të vendeve të rajonit, për tu ankuar se Kosova e ka arrestuar zyrtarin e lartë serbë.
”Dialogu me Prishtinë po vazhdon tash e pesë vjet, por më duhet të theksoj se ndodhi një incident i rëndë, ku është arrestuar njëri nga pjesëmarrësit e dialout, Marko Gjuriq”, tha kryekuvendarjanserbe duke u munduar ta paraqes rastin e Gjuriqit si veprim të parregullt nga ana e institucioneve kosovare.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi I kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, i cili tha se Gjuriq ka qenë disa herë në Kosovë por natyrisht duke marrë leje, ndërsa sipas Veselit, Marko Gjuriq, është dëbuar pasi është futur në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale.
“Për rastin e Gjuriqit, të cilin e përmendën kolegët nga Serbia, neve na vjen keq, shpresojmë që në të ardhmen të mos ndodh më, por Kosova është shtet i pavarur, andaj duhet respektuar ligjet dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Z. Gjuriq si zyrtar i lartë I Serbisë, ka qenë disa herë në Kosovë. Ai është i mirëseardhur në Kosovë sa herë që të dojë, por që duhet të respektojë institucionet, pra të marrë leje për të hyrë në Kosovë. Pra në rastin në fjalë ai erdhi në Kosovë në mënyrë ilegale, nuk respektoi autoritetet shtetërore, bëri përpjekje për të krijuar kriza që kanë qenë të panevojshme, andaj ai nuk është arrestuar por është dëbuar nga shteti i Kosovës”, ka thënë Veseli.