Veseli: Po punojmë intensivisht për arritjen e konsensusit për Demarkacionit

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se është duke punuar intensitivisht për gjetjen e një konsensusi për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi.

“Jam duke punuar intensivisht me kolegët e partive politike, në mënyrë që të arrijmë konsensusin e përbashkët që kur të shkojmë në seancë, ta përfundojmë çështjen e Demarkacionit”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha se pret reflektim nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe ata të Listës Serbe, në mënyrë që Kuvendi t’i sigurojë 80 votat e nevojshme për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Veseli, kur pritet të vazhdojë seanca për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi?

Kadri Veseli: Presim që këtë javë të përfundojë ratifikimi i Marrëveshjes së shënjimit të kufirit me Malin e Zi. Nuk ka asnjë arsye të kemi vonesa, mjaft jemi vonuar. Në të njëjtën kohë, besoj se kemi arritur tek ajo pika e konsensusit, që të krijojmë edhe besimin që me dy të tretat, ta votojmë një çështje e cila është aq me rëndësi, siç është çështja e shënjimit të kufirit, e cila e forcon sovranitetin e shtetit tonë dhe në të njëjtën kohë i hap edhe perspektivën qytetarëve tanë për lëvizje të lirë drejt Bashkimit Evropian. Vërtetë një dëshirë, por edhe një e drejtë e cila aktualisht ju mungon qytetarëve tanë.

Radio Evropa e Lirë: A do të ketë pra seancë këtë javë apo javën e ardhshme?
Kadri Veseli: Jam duke punuar intensivisht me kolegët e partive politike, në mënyrë që të arrijmë konsensusin e përbashkët që kur të shkojmë në seancë, ta përfundojmë. Jemi në fazën përfundimtare, do të thosha. Shpresoj edhe në një reflektim pozitiv edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të njëjtën kohë edhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në mënyrë që kur të futemi në seancë ta votojmë, dhe ta votojmë vërtetë pa ua shtuar shqetësimet qytetarëve tanë nga salla e Kuvendit, dhe t’u japim shpresë, zgjidhje. Kjo është ajo çka besoj shumë se do të ndodhë këtë javë.

Radio Evropa e Lirë: Sa keni arritur të vendosni kontakte me Listën Serbe për t’i siguruar votat e këtij subjekti politik për ratifikimin e Marrëveshjes?

Kadri Veseli: Nuk do t’i ndaja kolegët deputetë. E rëndësishme është vendimmarrja për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Për të gjithë kolegët deputetë, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, ne presim reflektim të Lëvizjes Vetëvendosje për arsye se votimi i kësaj marrëveshjeje forcon sovranitetin e shtetit të Kosovës, krijon perspektivë të qartë drejt integrimeve euro-atlantike dhe në të njëjtën kohë, krijon perspektivë për lëvizjen e lirë për qytetarët tanë, pa dallime etnie, shqiptarë, serbë dhe të gjitha etnitë tjera, rom, turq, ashkali, egjiptian, goran. Do të thotë, ky është një interes, i cili në të vërtetë është i madh për qytetarët tanë dhe në të njëjtën kohë, është edhe interes strategjik i shtetit tonë dhe duhet të ratifikohet.

Radio Evropa e Lirë: I keni votat e tyre apo jo për ratifikimin e Demarkacionit?
Kadri Veseli: Besoj shumë në reflektimin e çdo kolegu deputet, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje që ta votojë forcimin e shtetësisë dhe në të njëjtën kohë mosizolimin e qytetarëve tanë.

Radio Evropa e Lirë: Llogarisni edhe në votat e Listës Serbe?

Kadri Veseli: E thash, unë besoj shumë se do të kemi një shumicë, e cila do të tejkalojë limitin e dy të tretave (të votave), në të cilën jo vetëm se do të jenë mbi 80 deputetë të cilët do ta votojnë, përfshirë edhe Listën Serbe, por besoj shumë në reflektimin, i cili është pozitiv. Se sa ka guxim nga Lëvizja Vetëvendosje, nga një pjesë e tyre që ta votojnë, por ka lëvizje bukur të mëdha në kuptimin e pozicionit, ngase asnjë arsye më nuk është që të bllokohet votimi i shënjimit të kufirit me Malin e Zi. Në qoftë se flasim për sovranitet, në qoftë se flasim për integrim euro-atlantik, aty është. Në qoftë se flasim për liberalizim të vizave, aty është. Përndryshe, cila është logjika e bllokadës?

Radio Evropa e Lirë: A besoni më shumë në votat e Lëvizjes Vetëvendosje apo ato të Listës Serbe?

Kadri Veseli: Kam besim në votat e Partisë Demokratike të Kosovës më së shumti, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës, komunitetet joshqiptare dhe joserbe, komunitetit të Listës Serbe, komunitetit serb, dhe në të njëjtën kohë atyre që e duan Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Radio Evropa e Lirë: Në opinion janë vënë paralele mes votës së Listës Serbe për Demarkacionin dhe vendimit të institucioneve të Kosovës për themelimin e Asociacionit. A shihni ndërlidhje ju mes këtyre dy vendimeve?

Kadri Veseli: Po e vërej insistimin tuaj çdo herë te Lista Serbe. Me lejoni të theksoj faktin pozitiv të rolit të Listës Serbe dhe nuk do të kisha dëshiruar si kryetar i Kuvendi të ndaj në mënyrë të veçante Listën Serbe nga koloriti i partive politike, të cilat i kemi në shtetësinë e Kosovës dhe në perspektiven euro- atlantike të Kosovës sonë. Asnjë kushtëzim nuk është i vënë as nuk do të jetë, për arsye se ne po punojmë që të forcohet sovraniteti, në të njëjtën kohë, të forcohet perspektiva e qytetarëve të Kosovës.
Me votimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ne po e përfundojmë një obligim i cili e forcon sovranitetin tonë dhe në të njëjtën kohë i hap një perspektivë shtetit tonë në integrime euro-atlantike, duke e evituar problemin me një vend mik si Mali i Zi, që është vend i sigurt në drejtim të BE-së dhe NATO-s. Dhe në të njëjtën kohë, pastaj ne të orientohemi që çështjet të cilat i kemi të hapura me të vetmin vend tani me Republikën e Serbisë, përmes një procesi të dialogut, jo të konfliktit, t’i përfundojmë. Por, se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe politikat e veta i vendos në mënyrë sovrane, për këtë mos të ketë asnjë dyshim askush.

Kosova është e orientuar tërësisht drejt BE-së dhe NATO-s dhe jashtë çdo influence, çdo ndikimi jashtë këtyre orbitave edhe për këtë të jenë të sigurt të gjithë. Kjo do të jetë politika jonë e përbashkët me të gjithë kolegët deputetë të të gjitha etnive të tjera, përfshirë ne si shumicë shqiptare.

Radio Evropa e Lirë: Keni deklaruar se në fund të këtij viti kosovarët do të lëvizin lirshëm në zonën Shengen. Në çka jeni bazuar kur keni deklaruar kështu?

Kadri Veseli: Kam deklaruar dhe jam i bindur në këtë për arsye se ne u kemi shkaktuar mjaft bllokada qytetarëve tanë dhe politika e Kosovës duhet të mendojë që t’ju krijojë më tepër të mira qytetarëve. Kjo është faza e parë liberalizimi i vizave. Po ajo çka do të përpiqemi më shumë, po flas unë si lidership, në këtë vend është që t’u krijojmë perspektivë qytetarëve tanë që shpëtimin e vetë të mos e kërkojnë duke dalë jashtë, por vendet e punës, familjen ta kenë këtu në Kosovë dhe të jetojnë këtu, dhe në të njëjtën kohë të mendojmë se si të arrijmë t’i kthejmë bashkëqytetaret tanë nga diaspora, me investime dhe me përvojat e tyre të jashtëzakonshme, në zhvillim ekonomik të Kosovës.
Do të thotë, ideja e lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë në fund të këtij viti është e domosdoshme, nuk është çështje dëshire është obligim, të paktën unë e konsideroj si lider politik dhe institucional në Republikën e Kosovës. Kjo duhet të ndodhë, nuk ka askush të drejtë të abuzojë me vullnetin e qytetarëve dhe ta mbajë Kosovën të izoluardhe ta dëmtojë vendin e vetë.

Radio Evropa e Lirë: A mund të thuhet se koalicionin qeverisëse i përbërë nga më shumë parti politike është stabil?

Kadri Veseli: Stabil është edhe më shumë se sa në fillim. E ka atë shumicën parlamentare e cila është shumë e qartë, por në të njëjtën kohë është një shumicë parlamentare e cila është e konsoliduar dhe kompakte. Por, më tepër nuk e ka shqetësimin e numrave, por unë do të orientohesha nga orientime të cilat janë shqetësime të qytetarëve.

Njerëzit duan punë dhe ky koalicion duhet t’u krijojë mundësi njerëzve që të gjejnë me tepër punë dhe perspektivë në Kosovë. Ky duhet të jetë orientim, jo vetëm i këtij koalicioni, po besoj edhe çdo koalicioni dhe pretendentit që mendon ta marrë pushtetin. Kjo është ajo që do të bëjmë në këto katër vite.

Radio Evropa e Lirë: Drama politike e krijuar me ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, po reflekton në punën e përgjithshme të Kuvendit të Kosovës. Analistët kanë thënë se puna e Kuvendit është bllokuar pikërisht për këtë çështje. Ju si mendoni?

Kadri Veseli: Jo. Të jem shumë i drejtpërdrejtë. Por, është e vërtetë që drama e mosratifikimit të shënjimit të kufirit me Malin e Zi nuk i ka ndihmuar Kosovës që është diçka më e rëndë se sa një agjendë e cila zhvillohet përmes zinxhirëve në të cilët punon Kuvendi i Republikës së Kosovës, për çka i siguroj qytetarët tanë se nuk do të mbesë në asnjë aspekt mbrapa agjenda e përmbushjes së detyrimeve, dhe në të njëjtën kohë, obligimet që i ka ndaj qytetarëve dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, po flas si Kuvend i Republikës së Kosovës. Por, është e vërtet se mosratifikimi i shënjimit të kufirit ka qenë një veprim i gabuar, në të njëjtën kohë e ka bllokuar Kosovën dha ka krijuar dëshpërim të qytetarët.

Ajo çka tani po bëjmë është përpjekja e vazhdueshme, në të njëjtën kohë me takime intensifikuar mes kolegëve liderëve dhe partive të tjera, që të afrohemi te konsensusi. Jemi afruar shumë dhe tani ta përfundojmë këtë çështje në mënyrë që të merremi me gjëra tjera të mirëqenies për qytetarët tanë

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme