Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dje pasdite ka mbledhur Kryesinë e Kuvendit, ku ka marrë pjesë edhe deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, për të diskutuar rreth tryezës së sotme. Pas kësaj mbledhjeje, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se debati i sotëm do të jetë gjithëpërfshirës dhe do të ofrojë transparencë të plotë për të ndihmuar deputetët që të kenë informacione të mjaftueshme profesionale dhe shkencore për shënjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
“Është një lajm i mirë dhe jam i kënaqur për këtë konsensus që të kemi një debat për çështjen e kufirit që është bërë interes për qytetarët tanë. Po besojmë që me këtë gjithëpërfshirje dhe transparencë do të arrijmë në një përfundim pozitiv. Nesër kemi një pjesëmarrje masive. 16 organizata joqeveritare, 28 ambasada”, ka thënë Veseli.
Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, i cili e ka iniciuar me 24 deputetë debatin e 3 gushtit, tha pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se kryetari i Kuvendit dhe Kryesia u ka ndarë kohë të mjaftueshme grupeve të ekspertëve për të paraqitur argumentet e tyre. Ai ka theksuar se debatin e 3 gushtit do ta koncentrojnë vetëm me dhënien e argumenteve shkencore që shërbejnë për deputetët para vendimmarrjes për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi.
“Fjalët hyrëse do t’i mbajnë presidenti, kryeministri dhe ambasadori amerikan Delawie. Në fund do t’u jepet mundësia pjesëmarrësve të tjerë në këtë debat, deputetët me pyetje t’i drejtohen Komisionit shtetëror, por edhe ekspertëve. Koha do të jetë e barabartë për të dyja palët, por ne presim rezultate pozitive në marrjen e vendimeve. Në fund të këtij debati, Komisioni shtetëror dhe grupi i ekspertëve do të shkojnë me konkluzione”, ka theksuar Bulliqi.