Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka nisur sot vizitat në lokalet e liruara nga uzurpatorët.
Kryeparlamentari vizitën e parë e ka bërë në një lokal në qendër të Prishtinës ndërsa më pas ka vazhduar në një pronë tjetër në Vushtrri, i shoqëruar nga përfaqësues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Veseli që ishte tek ish-pronat e ndërmarrjes ‘Elean’, privatizuar kohë parë, por deri tani të uzurpuara, ka thënë se njëjtë sikur këto prona, duhet dhe do të lirohen të gjitha pronat e uzurpuara në Kosovë.
Ndërsa përfaqësuesi i pronarëve të ligjshëm të pronës, Ylber Kuraja, pohoi se në këtë vend tashmë të liruar për pronarët do të investojnë katër milionë euro dhe do të hapin shumë vende të reja pune.
Gjatë kësaj ekspedite Veseli që ishte i përcjellur nga mediat ka pasur edhe një mesazh për to.
Ai ka thënë se janë mediat ato që duhet të punojnë sa më shumë që është e mundur që të zbardhin uzurpimet, të çfarëdo natyre qofshin ato.
“Mediat duhet të punojë sa më shumë që të qesin në pah çfarëdo lloj uzurpimesh, qofshin uzurpime të pronave e ndërmarrjeve, ose qofshin edhe uzurpimeve të pozitave nëpër institucione”, ka pohuar Veseli.