Vetë shqiptarët shkelin gjuhën shqipe/ Shkelësi i parë ish ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri

Gazetar: Suad Bajrami

Analizimi i të dhënave për lëndët e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, të dorëzuara në Gjykatë, tregon fakte drastike – 13 nga gjithsej 50 udhëheqësit e institucioneve, për të cilët kërkohet gjobitje për mosrespektim të gjuhës shqipe, janë shqiptarë apo vijnë nga partitë shqiptare. Për ironi, Inspektorati e ka dorëzuar lëndën e parë në Gjykatë më 2 janar 2024 kundër Jeton Shaqirit, kuadër i BDI-së, për të cilin kërkohet t’i shqiptohet një gjobë për shkelje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve gjatë kohës sa ishte ministër i Arsimit. Ironia e radhës, më 22 maj 2024, është që Inspektorati ka ngritur lëndë për mosrespektim të gjuhës edhe ndaj Avokatit të Popullit Naser Ziberi, i cili erdhi në këtë pozitë mjaft simbolike pasi dështoi të bëhej kryeministri i parë shqiptar. Ziberi, me institucionin që drejton, disa herë kishte raportuar edhe vetë për problematikat me gjuhën.

Në listë është edhe Ilir Demiri nga Aleanca për Shqiptarët, për të cilin Inspektorati kërkon të gjobitet për mosrespektim të shqipes gjatë kohës që ishte ministër i Shëndetësisë. Lëndë është dorëzuar edhe për Faton Ahmetin, ish-drejtor i Fondit Pensional, ndërsa sot ushtron detyrën e sekretarit të përgjithshëm të BDI-së. Inspektorati nuk ka kursyer as funksionarë të tjerë shqiptarë: ndaj Bekim Maksutit, gjatë kohës që udhëhiqte Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim; Driton Nebiut, gjatë kohës që drejtonte Agjencinë për Menaxhim të Pasurisë së Sekuestruar; Rrahmetulla Kuqit, kur udhëhiqte me Bibliotekën Nacionale “Shën Klimenti i Ohrit”; Izeir Memedit, që drejtonte Qendrën Ndërkomunale për Punë Sociale në Shkup; Jeton Akikut nga Agjencia e Komunikimeve Elektronike; Musa Ziberit, kur udhëhiqte Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor – Tetovë dhe Sefedin Jonuzit, gjatë kohës kur ishte në krye të Agjencisë së Barnave.

Nga lëndët më të reja, me të cilat Inspektorati kërkon gjobitje për mosrespektim të shqipes, bien në sy edhe: Llokman Limani, i cili ka udhëhequr me Shoqatën Aksionare “Ekonomia e Ujërave” dhe Sedat Rushani, me Byronë e Metrologjisë. Krahas funksionarëve shqiptarë, janë edhe 35 funksionarë maqedonas dhe dy turq, mes tyre ministra të qeverisjes LSDM-BDI: Jovanka Trençevska nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Risto Penov nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, Lupço Nikollovski nga Ministria e Bujqësisë, Sllavjanka Petrovska nga Ministria e Mbrojtjes, Bisera Kostadinovska-Stojçevska nga Ministria e Kulturës dhe Bllagoj Boçvarski nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Në Gjykatë, Inspektorati ka dorëzuar lëndë edhe kundër ministres aktuale të Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, për shkak se nuk ka bashkëpunuar me inspektorët, duke mos dorëzuar dokumente dhe fakte të nevojshme në kuadër të inspektimit.

Në eshalonët më të ulët, si shkelës të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve paraqiten edhe: Naumço Mojsoski, gjatë kohës që udhëhiqte Agjencinë për Rini dhe Sport; Nikollçe Babovski, kur kryesonte Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari; Borçe Haxhiev, me Byronë për Furnizime Publike; Stojançe Angellov, me Qendrën për Menaxhimin e Krizave; por edhe Olivera Neçovska, nga Sekretariati për Legjislacion i Qeverisë.
Lëndë ka edhe kundër Apostol Simovskit, që drejtonte Entin Shtetëror të Statistikave; Sanja Llukarevskës, në Drejtorinë për të Ardhura Publike; Emil Kërsteskit të Arkivit Shtetëror; si dhe Nikolla Memovit të Fondit të Sigurimit Pensional.

Për t’u gjobitur për shkelje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, Inspektorati ka dorëzuar lëndë në Gjykatë edhe kundër Vesna Damevës, kur ajo udhëhiqte Këshillin Gjyqësor, si dhe Darijan Sotirovskit, kur kryesonte me Komisionin për Marrëdhënie mes Bashkësive Fetare. Së fundmi, iniciativë në Gjykatë është ngritur edhe kundër kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme