Sikur në odë burrash u mbajt takimi i parë i kryeministrit të Kosovës bashkë me zëvendësministrat prej të cilëve kërkoi përgjegjësi brenda dikastereve ku ata janë emëruar, e sigurisht, dominonte gjinia mashkullore.
Kabineti qeveritar i Kosovës deri tani përbëhet nga Ramush Haradinaj kryeministër, 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra e 71 zëvendësministra, shkruan Koha.net.
Por, në mesin e këtyre 71 zëvendësministrave, janë vetëm 5 gra. Emërimi i zëvendësministrave bëhet nga kryeministri, pas propozimeve që ia dërgojnë partitë politike.
Koha.net ka siguruar listën e gjithë zëvendësministrave të emëruar nga kryeministri Haradinaj, ku në mesin e tyre janë 51 zëvendësministra shqiptarë.
Por siç duket deri tani problem e zhurmë e madhe u bë vetëm për numrin e madh të zëvendësministrave, e jo edhe numrin e vogël të gjinisë femërore.
5 gratë zëvendësministre në Kosovë:
Magbule Shkodra, zëvendësministre në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal- AAK
Burbuqe Bakija-Deva, zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit-AAK
Rejhane Vuniqi, zëvendësministre në Ministrinë e Punëve të Jashtme-AKR
Milena Zdravkovic, zëvendësministre në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor- Partia Liberale e Petrovic, dhe
Vesna Mikic, zëvendësministre në Ministrinë e Drejtësisë-Lista Serbe
Duke i ndarë nëpër parti zëvendësministrat shqiptarë, prijnë nga AAK, aty ku edhe janë të emëruara 2 gra.
Nga AAK janë 15 zëvendësministra, nga PDK 14, nga Nisma 12, nga AKR 8 dhe 2 të tjerë.
Nga lista e zëvendësministrave, mësohet se janë 19 zëvendësministra nga pakicat, 8 serb, 4 ashkali, 6 boshnjakë e 2 egjiptianë.
Kujtojmë se të gjitha partitë politike gjatë kohës së fushatës kishin premtuar se gratë do të zënë një përqindje të madhe të posteve.
© KOHA.