Vetëm një helikopter urgjence për tërë territorin e Shqipërisë

Personeli mjekësor i urgjencës në Shqipëri ka në dispozicion vetëm një mjet ajror, ndërsa për të tjerët nuk gjenden fonde për riparimin. Personeli ankohet sepse punën e tyre e bën ushtria. As qeveria nuk ka plan për shtimin e mjeteve, shkruan sot gazeta Shekulli.

Njësia e transportit mjekësor me helikopter është hallkë shumë e rëndësishme, sidomos në situata emergjente, sepse është pikërisht kjo njësi që bën transportimin e të sëmurëve nga të gjitha zonat e vendit drejt spitaleve të kryeqytetit apo edhe jashtë tij, në një kohë rekord. Helikopterët e urgjencës mjekësore u kanë shpëtuar jetën mijëra pacientëve, pilotët e helikopterëve janë nga më të mirët dhe të vlerësuar lart nga opinioni publik.

Nuk mund të thuhet se ka munguar kujdesi shtetëror për këtë lloj urgjence, por ka probleme teknike, pasi helikopterët janë të vjetër dhe shumë prej tyre nuk kanë bërë prej vitesh asnjë ngritje. Shqetësimin e përcjellin pilotët, të cilët thonë se për këtë shërbim, plotësimi i nevojave nga Ministria e Mbrojtjes, e cila vë në dispozicion helikopterët e saj, në rastet e emergjencave shtesë, është formë burokratike, e cila mund dhe duhet të eliminohet.

Kjo jo vetëm se procedura me helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes bëhet e ngadaltë në kushtet kur emergjencat dhe shpëtimi i jetës varen vetëm nga koha, por edhe për shkak se stafi i urgjencës në Njësinë e Transportit Mjekësor pranë fushës së Aviacionit, Tiranë, është i mjaftueshëm për të mbuluar emergjencat nga ajri. Për shembull, 4 helikopterët e prodhimit francez “Alouette-3” i janë dhuruar Shqipërisë qysh në vitin 1995, nga “REGA Suisse”, urgjenca zvicerane, që i kishte në shërbim prej vitesh. Kurse helikopteri “Bo 105E-4” që hyri në shërbim në Brigadën e Forcave Ajrore Shqiptare në vitin 2006, është prodhim gjerman i “Messerschmitt-Bolkow-Blohm” i vitit 1970, por ata qëndrojnë aty prej kohësh, të zëvendësuar në vitin 2015 nga një helikopter modern.

4 vite më parë ishte Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ai që “inauguroi” mbërritjen e helikopterit të kuq në 25 mars 2015, ditë që përkonte me 20-vjetorin e krijimit të Njësisë së Transportit Mjekësor, Helikopter.

Programi

Nevoja për të fuqizuar dhe modernizuar kapacitetet e NJTMH-së, misioni i së cilës është ofrimi i shërbimit të transportit mjekësor në rastet e urgjencave mjekësore, lidhet me zbatimin e angazhimeve të Programit Qeverisës për shërbimin e urgjencës mjekësore.

“Ne jemi zotuar se do të ngremë një Shërbim Kombëtar të Urgjencës Mjekësore, i cili do të mund të sigurojë prani të shpejtë e profesionale në të gjithë territorin e vendit, duke vendosur standarde të njëjta në të gjitha qendrat pritëse duke iu përgjigjur nevojave të ndryshueshme gjatë stinëve të vitit për të ofruar kujdes shëndetësor në sëmundshmëri dhe trauma”, thoshte midis të tjerash, ish-ministri Beqaj. Madje, ai theksonte se “do të vijohet të punohet për fuqizimin e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës”.

Një premtim i ngjashëm bëhet dhe në programin e qeverisë Rama 2, por nuk ka një artikulim të qartë për Flotën e Helikopterëve të Urgjencës, me përjashtim të një citimi, ku shënohet se do të forcohen mjetet motorike. “Deri në vitin 2021, koha e pritjes për të gjitha shërbimet spitalore do të përgjysmohet. Qeveria do të inkurajojë procesin e akreditimit të të gjithë spitaleve publike dhe private. Urgjenca mjekësore në territor do të forcohet në kapacitete njerëzore, mjekësore e motorike. Thirrjeve të rasteve urgjente do t’iu përgjigjemi brenda 10–15 minutave në zonat urbane dhe 20–35 minutave në zonat rurale. Do të fuqizohen kapacitetet qendrore dhe rajonale për të përballuar urgjencat kardio-vaskulare dhe cerebrale-vaskulare.

Projektet e investimeve në shëndetësi do të zgjerohen me vepra të reja të infrastrukturës spitalore, duke shfrytëzuar financimet publike dhe partneritetin publik-privat. Vëmendje do t’u kushtohet qendrave spitalore universitare dhe spitaleve rajonale. Brenda vitit 2020 me anë të PPP do të ndërtohet spitali rajonal i Fierit si qendër ekselence shërbimesh për qytetarët. Brenda vitit 2021 do të ndërtohen 8 qendra të reja shëndetësore”, thuhet në programin Rama 2 në kreun e Shëndetësisë dhe Shërbimit Social.

Në funksion

Helikopteri i tipit EC-135, që është sot në funksion dhe përgjigjet për nevojat mjekësore, është prodhuar nga kompania Airbus Helicopters, një kompani me reputacion të shquar ndërkombëtar në fushën e prodhimit të helikopterëve civilë dhe ushtarakë, dhe veçanërisht helikopterëve të specializuar për transportin e të sëmurëve dhe urgjencave mjekësore, të prodhuar dhe të certifikuar sipas standardeve të EASA-s, Certification Specifications Part 27; USA Federal Aviation Regulations Part 27/29; dhe atyre JAR-OPS 3 (the Joint Aviation Requirement for the operation of commercial air transport), që kërkohen posaçërisht për këtë lloj transporti ajror është i pajisur, ndërmjet të tjerash, edhe me: monitor; defribilator; aspirator; 3 bombola oksigjeni për 200 minuta fluturim; dy barela, sipas përcaktimeve të njohura ndërkombëtarisht për sistemin HEMS (Helicopter Emergency Medical Service – Shërbimi i urgjencës mjekësore për helikopterë); sedilje specifike për HEMS; mbledhëse gjaku; kabinet mjeku.

Të gjitha këto pajisje mjekësore janë përputhje me standardet EASA. Në shifra, gjatë më shumë se 20 vjetëve, NJTMSH ka realizuar më shumë se 30 350 fluturime duke kryer rreth 10 000 operacione urgjence mjekësore në të gjithë vendin.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme