“Veteranë” të sponsorizuar nga PDK-ja – ky është dëmi i madh që Thaçi, Haradinaj e Limaj i kanë bërë Kosovës

Kryetari i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevdet Qeriqi, dje ka bërë të ditur se do të dërgojë në Qeverinë e Kosovës një shkresë ku kërkohet nga kryeministri, Albin Kurti, shkarkimin e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

“Kemi bërë një shkresë për zotëri Kurtin dhe do ta dorëzojë në Qeveri dhe pres që kryeministri t’i realizojë këto kërkesa. I jam drejtuar me kërkesën që të ndërmarrë hapa ndaj ministres Gërvalla për deklaratat e saj dhe pres që të marrë përgjigje nga ana e tij”, tha ai.

Qeriqi madje ka deklaruar se prej se mori punën, ministrja Donika Gërvalla ka bërë akuza të pabaza ndaj UÇK-së të cilat sipas tij i konvenojnë shumë Serbisë.

E lidhur me këtë kërkesë, njohësit e çështjeve politike janë të mendimit se organizatat e dala nga lufta tashmë veçse janë kthyer në një në shtab të PDK-së.

Analistët shprehen se të ashtuquajturit “veteranë” të sponsorizuar nga PDK-ja, për njëzet vite me radhë, bashkë kanë heshtur për të gjitha llojet e krimeve të Serbisë të kryera në Kosovë, kurse tani njëzëri po kërkojnë shkarkimin e Gërvallës, përderisa politikanë të PDK-së, që qysh para përfundimit të luftës kanë dalë hapur kundër UÇK-së.

Mehmeti: Kurti s’duhet të dëgjojë kërkesat e tyre

Analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, lidhur me këtë çështje ka thënë se veteranët, konkretisht organizata e tyre është kthyer në shtab të PDK-së, nga e cila, sipas tij, përcjell vetëm mesazhet kundër qeverisë.

“Fatkeqësisht, organizata e veteranëve, qe duhet të jetë simbol i unitetit, po përdoret nga një parti që është në opozitë, edhe e cila për 12 vjet ka shkatërruar këtë vend. Kurrë një herë veteranët nuk ngritën zërin për shkatërrimin e shtetit nga PDK-së e sot kërkojnë shkarkimin e një ministre që s’ka bërë asgjë të keqe kurrë për Kosovën dhe as për UÇK-në”, ka thënë Mehmeti.

Kurse, sa i përket kryediplomates Gërvalla, Mehmeti ka deklaruar se ministrja e Punëve të Jashtme është më patriote se krejt organizata e OVL UÇK-së e të cilët po manipulohen nga PDK-ja.

“Donika është më patriote se krejt ata veteranë në organizatën e tyre, e të cilët po manipulohen nga PDK-ja. Kjo parti politike ka arritur që të humb respektin që qytetarët kanë pasur ndaj organizatës së veteranëve, duke e përdorur atë politikisht. Fatkeqësisht, kjo organizatë nuk përfaqëson veteranët e vërtetë, por një pjesë të ca njerëzve të ndikuar politikisht, dhe të cilët janë imazhi më i mirë i veteranit. Kurti s’duhet të dëgjoj kërkesat e tyre politike, por të vazhdojë me agjendën për të kthyer vendin në rrugën e drejtë, të cilën PDK e ka nxjerr nga binaret”, ka thënë analisti Faton Mehmeti, për “Bota sot”.

Qarri: Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, i kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme vendit.

Kurse, nga ana tjetër, analisti tjetër politik, Gani Qarri, për “Bota sot”, ka thënë se skandalet e qeverive të kaluara janë akte që duhet hetuar urgjentisht dhe dënuar të gjithë aktorët e inkriminuar në to.

“Pikërisht për shkak të skandaleve të panumërta që opozita e sotme dhe mafia politike ka ditur t’i bëjë Kosovës dhe qytetarëve të saj, në dy mandatet e kaluara të qeverisjes së kriminalizuar të vendit, duke injoruar për më shumë se 22 vite me radhë edhe të gjitha krimet e Serbisë të shkaktuara në Kosovë dhe mos lejuar dënimin e asnjë akti të vetëm kriminal serb, si dhe duke shkuar deri atje sa ta shuajë plotësisht me qëllim edhe Institutin për Krimet e Luftës, të formuar qysh më 2011, i cili kishte për mision, mbledhjen, dokumentimin dhe dëshmimin e të gjitha krimeve që Serbia i ka shkaktuar në Kosovë, janë akte që duhet hetuar urgjentisht dhe dënuar të gjithë aktorët e inkriminuar në to”, ka thënë analisti Qarri.

Qarri shprehet se në vend se të bëhen bashkë “veteranët” kapadai dhe të reflektojnë, këta të fundit bëjnë kërkesa të çuditshme për shkarkimin e Ministres së Punëve të Jashtme Donika Gërvalla.

“Për aq më tepër, në vend se ata bashkë me “veteranët” kapadai, sot të reflektojnë për aktet e tyre të dyshimta, përfshirë korrupsionin galopant dhe krimin e organizuar me të cilat e kanë sjellë vendin në këtë gjendje të rëndë duke e izoluar nga gjithë bota demokratike si të vetmin shtet në rajon dhe lënë edhe pa liberalizimi vizash dhe lëvizje të lirë të qytetarëve të saj, kryetari i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevdet Qeriqi, përpara se të kërkojë llogari, të paktën për ndonjërën nga aktet e lartcekura apo edhe vetëm për heshtjen e krimeve të Serbisë në Kosovë nga dostat e tij, çuditërisht i është drejtuar me një kërkesë kryeministrit Kurti, për shkarkimin e Ministres së Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, sikur Kosova të mos kishte asnjë hall tjetër dhe punë më të madhe e më, me rëndësi, se sa të merret me teket e kapadaive, të cilët kanë bindjen, se nuk mund të jetojë as marrë frymë lirisht, as kush tjetër në Kosovë, pa lejen e tyre dhe ende janë zot të çdo gjëje në këtë vend”, tha ai.

Tutje, analisti thekson ish-krerët e vendit; Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, i kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme vendit.

“Kjo dëshmon edhe njëherë më tepër se dëmi që partitë e ashtuquajtura të dala nga “lufta” i kanë shkaktuar popullit dhe shtetit të Kosovës me Thaçin, Haradinajn e Limajn në krye, jo vetëm që është i pallogaritshëm, por veprimet e tyre kundër vendit dhe qytetarëve të Kosovës, që shkuan deri atje, sa ta shuanin edhe “Institutin për Krimet e Luftës”, duhet hetuar urgjentisht dhe deri në detaje, në mënyrë që të gjithë të inkriminuarit të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar, qofshin ata edhe anëtar të opozitës së inkriminuar, organizata me emra bombardues apo edhe veteran me nam, e grada gjeneralësh pa ushtri”, u shpreh ai.

Krejt në fund, ai thekson se të ashtuquajturit “veteran” të sponsorizuar nga PDK, e cila njihet si partia më e inkriminuar në Kosovë për njëzet vite me radhë, bashkë kanë heshtur për të gjitha llojet e krimeve të Serbisë të kryera.

“Të ashtuquajturit “veteran” të sponsorizuar nga PDK, e cila njihet si partia më e inkriminuar në Kosovë dhe që për njëzet vite me radhë, bashkë kanë heshtur për të gjitha llojet e krimeve të Serbisë të kryera në Kosovë, sot njëzëri kërkojnë shkarkimin e Gërvallës, përderisa ka dhe politikanë të vet PDK-së, që qysh para përfundimit të luftës kanë dalë hapur kundër UÇK-së, siç ishte rasti me vet ushtruesin aktual të detyrës së kryetarit të PDK-së, të cilin, nga bashkë partiakët në PDK, e deri te Fatmir Limaj i NISMA-së, edhe sot e akuzojnë publikisht se dikur nga Vjena e Austrisë, u qonte “selam”, që po fitoj UÇK-në në Kosovë, ai do të ikte e të kërkonte azil në Beograd, ndërsa tani, i njëjti Enver Hoxhaj, drejton PDK-në, por nuk flet as reagon askush”, ka thënë krejt në fund, Gani Qarri për “Bota sot”.