Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, bëri homazhe te shtatorja e Zahir Pajazitit dhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Pas ceremonisë së vendosjes së luleve pranë shtatores së Zahir Pajazitit, Haradinaj teksa po përshëndetej me të pranishmit, i ftoi t’i bashkëngjiten për homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, por si duket ata nuk iu përgjigjën pozitivisht ftesës së kryeministrit, raporton KP.
Haradinaj homazhet gjatë ditës i vazhdoi edhe në Prekaz te varrezat e familjes Jashari, e më pas do të vizitojë familjen Jashari.
Ndërsa homazhet që ishin paralajmëruar nga ora 13:00 e tutje janë anuluar për shkak të mbledhjes përgatitore në Korçë, njofton Zyra e Kryeministrit.