Vetëvendosja proteston kundër Lumezit, “LDK-ja dhe PSD-ja nuk shkojnë në organizimet e partive tjera”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të dielën paralajmëroi një protestë paqësore kundër kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi. Ai ftoi qytetarët që të premten e 26 prillit të protestojnë pranë objektit të Prokurorisë së Shtetit. Por, protestës së VV-së, nuk do t’i bashkohen edhe partitë tjera opozitare.

“Ky lepur, nuk e ka vendin në rrugën me emrin Luan (Haradinaj)”, tha Kurti të dielën në paralajmërimin e tij për protestën e 26 prillit.

Lideri i VV-së tha se këtë protestë po e thërrasin si qytetarë të brengosur, e sipas tij çlirimit nga Serbia duhet bashkëngjitur edhe çlirimin nga krimi dhe korrupsioni.

“Prokuroria e Shtetit nuk po i ndjek as krimet e luftës, as krimet e paqes. Kryeprokurori po u frikësohet presidentit, kryeministrit e kryeparlamentarit. Aleksandër Lumezi i druhet secili pushtetar”, tha Kurti.

Kurti tha se kryeprokurori Lumezi është i shantazhuar dhe frikacak.

“Me kësi lepurushash nuk bëhet shteti. Andaj, të premten, pesë minuta para orës 12, ju bëj thirrje gjithë qytetarëve të dalin para Prokurorisë së Shtetit”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, thirrjes së Kurtit për protestë nuk do t’i bashkohen edhe partitë tjera opozitare. Partia e Isa Mustafës po thotë se ata nuk marrin pjesë në organizime të partive tjera.

“Ne nuk jemi bashkorganizator të protestës. Nuk i bashkëngjitemi asnjë aktiviteti të ndonjë partie tjetër”, ka thënë për Gazetën Express zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

Ndërkaq, Mustafa ka thënë se brenda LDK-së është duke u zhvilluar debat mbi dështimet e koalicionit qeverisës dhe shkallën e lartë të korrupsionit.

Ai ka shtuar se në rrëzimin i koalicionit qeverisës është qëllim i përbashkët me Vetëvendosjen.

“Ky debat brenda LDK-së, përbën një mobilizim të natyrshëm dhe përmbajtjesor të strukturave, votuesve dhe përkrahësve të LDK-së për rrëzimin e këtij koalicioni qeverisës, që është një qëllim i përbashkët me LVV-në, që do të kulmojë me zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme për udhëheqjen e institucioneve shtetërore me legjitimitetin e plotë të votës së lirë të qytetarëve”, ka thënë Mustafa. 

E as partia e Shpend Ahmetit nuk do t’i bashkohet protestës së VV-së. PSD-ja e ka konfirmuar të dielën për Express se nuk do të jenë pjesë e protestës së organizuar nga VV-ja.

“Nuk marrim pjesë”, ka thënë Natyra Kuqi, zëdhënëse e PSD-së.

Në paralajmërimin për protestën e 26 prillit, Kurti ka thënë se kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, po hesht ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Protesta pritet të zhvillohet në Prishtinë në rrugën “Luan Haradinaj”, ku ndodhet edhe objekti i Prokurorisë së Shtetit. 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme