Vetëvendosje: Agolli mbeti besnik i gjuhës së shtresës popullore

Lëvizja Vetëvendosje ka shkruar një telegram ngushëllimi për vdekjen e shkrimtarit të madh shqiptar, Dritëro Agolli.

“Dritëro Agolli, vjershëtari i dashur prej popullit, është shuar. Sa e sa rima të tij, me atë tingëllimën e njohur, janë përsëritur si fabula prej shumë njerëzve, pa e ditur se të cilit autor janë. Agolli do të mbetet në mendjet tona me vargjet e tij herë ironike e herë provokuese, herë pasionale e herë cinike, por kurrë nihiliste e pa moral”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Vetëvendosjes.

“Me gjuhën e tij të thjeshtë ai është shembulli tipik se si kultura popullore mund të jetë ende burim e mjet artistik që mund të ngrihet edhe në një nivel të krahasueshëm me forma të tjera, më të sofistikuara, të artit poetik. Agolli mbeti besnik i gjuhës së shtresës popullore, ndaj dhe populli nuk do ta harrojë kurrë. I qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë”, thuhet tutje në telegram që i shpreh ngushëllime familjarëve dhe gjithë lexuesve të Agollit.