Vetëvendosje distancohet nga ngjyra mbi Qeveri, kundërshtojnë aktivistët

Lëvizja Vetëvendosje është distancuar nga hedhja e ngjyrës mbi ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, sot me të përfunduar marshi protestues “Drejtësi për Astritin”. Por kjo nuk u ka pëlqyer disa aktivistëve të këtij subjekti politik.

“Lëvizja Vetëvendosje distancohet nga ngjyra e hedhur drejt ndërtesës së Qeverisë. Këto veprime nuk kanë qenë pjesë e agjendës organizative dhe janë njëkohësisht të papranueshme”, thuhet në një komunikatë të Vetëvneodjes, në të cilën përshkruhet ecuria e marshit të sotëm protestues për Astrit Deharin, me rastin e një vjetorit të vdekjes së tij, në rrethana ende të pasqaruara përfundimisht.

Nuk ka vonuar shumë dhe Valdrin Ahmeti, njëri prej aktivistëve më të zëshëm të Vetëvendosjes është distancuar nga ky distancim i partisë.

“Distancohemi nga distancomi. Sot në fund të marshit protestues, aktivistët përmes një aksioni simbolik hodhën shishe me ngjyrë të kuqe në drejtim të objektit të Qeverisë. Këto shishe le të jenë paralajmërim për Qeverinë në rast se nuk plotëson kërkesat e këtij marshi protestues, e njëkohësisht le të jenë këndellje për shumë që mendojnë që drejtësia do të vihet në vend vetëm me fjalime”, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij në Facebook.

Një tjetër aktivist i Vetëvendosjes që është distancuar është edhe Egzon Azemi, asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

“Ngjyra e kuqe simbolizon gjakun. Vdekja e Astritit në burg në çfarëdo rrethane është vrasje në dorën e pushtetit. Andaj kjo ngjyrë e ky ‘dëm’ të shërbej si kujtesë për sakrificën e familjes Dehari, sepse dëmin e vërtetë institucionet tona ia shkaktuan kësaj familje e jo kjo ngjyrë askujt”, ka thënë Azemi, përcjell Koha.net. “Turp të distancohesh nga veprime të tilla, arsyetimi: secili mendimin e vet!?”, ka shtuar ai.

“Ahhh të keqën e distancimit. Ahh si se kam një grusht të fortë, po si ta kem kur grushtin e ka shti në përdorim moti një deputet trim të cilin nuk e kap distancimi e as ligj e komision i mundshëm!”, ka thënë një tjetër aktivist, Kreshnik Gega.

Më poshtë gjeni të plotë komunikatën e Vetëvendosjes në lidhje me ngjarjen e sotme:

Mijëra qytetarë kanë morën pjesë sot në homazhet dhe në marshin protestues, të organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, në përvjetorin e parë të vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit, në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor 2016.

Me moton “Drejtësi për Astritin”; organizatorët i kanë dhënë afat Qeverisë së Republikës së Kosovës, që deri më 5 shkurt 2018, të lejojë dhe të nisë hetimet e pavarura dhe të gjithanshme sipas kërkesës së familjes Dehari dhe avokatit; si dhe t’i shkarkojë nga pozitat zyrtare për t’i hapur rrugë hetimeve: Dhurata Hoxhën (ish-ministre e Drejtësisë, tani Ministre e Integrimit), Shpend Maxhunin (Drejtor i përgjithshëm i Policisë), Nexhmi Krasniqin (Komandant i Policisë Rajonale në Prizren) dhe Fatos Makolli (Drejtor i Njësisë Kundër Terrorizëm).

Këto kërkesa u parashtruan nga kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri, në marshin protestues që nisi nga Biblioteka Kombëtare dhe që vazhdoi deri te Qeveria e Kosovës me thirrjet “Drejtësi për Astritin” dhe “Unë jam Astriti”. “Organet shtetërore kanë përgjegjësi të drejtpërdrejt në këtë rast. Edhe në vdekjen si të tillë në burg, ku Astritit të privuar padrejtësisht nga liria iu mohua kriminalisht siguria. Edhe në pengimin e hetimit të pavarur që po e pengon zbardhjen e rastit”, ka pohuar Ymeri.

Në fjalimin e tij, deputeti Albin Kurti e cilësoi Astrit Deharin si dëshmorin më të ri të kombit. “Astrit, rënia jote dëshmon se populli ynë, është ende në lëvizje dhe se nuk është dorëzuar. Kosova nuk është nënshtruar as prej sundimtarësh shumë të ashpër të vendeve pushtuese, e sigurisht nuk do të nënshtrohet as nga kjo kastë hajnash e vrasësish”, ka thënë Kurti.

Në këtë marsh folën edhe Egzon Pnishi, shok i Astrit dhe Destan Hajdini, familjar.

Në mesditë, qindra bashkëpartiakë, familjarë, shokë e qytetarë të ndryshëm, bënë homazhe te varri i Astrit Deharit. Kortezhit i ka prirë babai, nëna, motra e bashkëshortja e ve e Astritit, të cilët kanë vënë buketa lulesh te varri i Astrit dhe të varri i Arbënorit, djalit tjetër i Avni e Xhemile Deharit, i cili kishte vdekur në rrethana ende të pasqaruara më 11.06.2014.

Babai i tij, Avni Dehari ka falenderuar të pranishmit që kishin ardhur për ta ndarë dhimbjen me familjen duke theksuar se familja Dehari do të jetë gjithnjë në aktivitetet që çojnë drejt jetësimit të idealit kombëtar.

Qëndresën e prindërve dhe familjes së Astritit, deputeti Glauk Konjufca e cilësoi si shembull të jashtëzakonshëm që na ndihmon për të qëndruar drejtë dhe që të jemi të guximshëm. ”Qeveria e kaluar e Kosovës duhet të marrë përgjegjësinë për vdekjen e Astritit. Siç po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s po shihet se është i montuar dhe me prapavijë politike, prandaj ky pushtet dhe qeveria e kaluar sidomos duhet ta marrë përgjegjësinë e drejtpërdrejt për vdekjen e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit”, ka thënë Konjufca.

Përndryshe, Lëvizja VETËVENDOSJE! distancohet nga ngjyra e hedhur drejt ndërtesës së qeverisë. Këto veprime nuk kanë qenë pjesë e agjendës organizative dhe janë njëkohësisht të papranueshme.

Astriti, është ylli ynë që nuk shuhet kurrë!

Lavdi jetës së shkurtër, por veprës së madhe të Astrit Deharit!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme