Vetëvendosje kundër Demarkacionit: Mashtrimi nuk kalon

Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë ka reaguar pas nënshkrimit të marrëveshjes për Demarkacionin mes Peridentit të Kosovës dhe atij të Mali të Zi.

Në një deklaratë për media, kryetari i VV Albin Kurti është shprehur kundër kësaj marrëveshje duke e quajtur një mashtrim të papranueshëm dhe të padrejtë.

Kurti ka treguar se deklarata e publikuar nga presidenti Hashim Thaçi është e papranueshme duke renditur edhe prapaskenat e kësaj marrëveshje me fqinjët malazezë.

Deklarata e plotë:

MASHTRIMI NUK KALON!

Sot, pasi që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi opinionin publik lidhur me deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga ai dhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, lidhur me marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti mbledhje të jashtëzakonshme të kryesisë së saj.

Për Lëvizjen VETËVENDOSJE! kjo deklaratë e Thaçit me homologun e tij malazez është e papranueshme sepse e padrejtë dhe mashtruese.

  1. Teksti i kësaj deklarate nuk është dashur të nënshkruhet pa njoftimin, dijeninë dhe diskutimin në institucionet e Kosovës. Shteti i pavarur i Kosovës është Republikë Parlamentare.
    2. Kjo deklaratë rikonfirmon marrëveshjen e 26 gushtit 2015 nënshkruar në Vjenë. Janë 205 mijë nënshkrime në Peticionin qytetar të vjeshtës së vitit 2015 në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje. Po ashtu, demonstratat më të mëdha në Kosovën e pasluftës janë mbajtur kundër kësaj marrëveshje më 9 janar dhe 17 shkurt 2016, duke dëshmuar vullnetin popullor.
    3. Rezultatet e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, drejtuar nga prof. Shpejtim Bulliqi janë shpërfillur tërësisht nga kjo Deklaratë. Komisioni Bulliqi theksonte, midis të tjerash, se Marrëveshja e nënshkruar në 26 gusht 2015, për Demarkacionin e Kufirit në mes të Kosovës dhe të Malit të Zi nuk është marrëveshje për shënjimin e kufirit, por është marrëveshje për përcaktimin e kufirit, përkatësisht për ndryshimin e tij në një kufi të ri, jashtë çdo kompetence.
    4. Pas ratifikimit, në këtë deklaratë, thuhet se do të formohet një Trup i Përbashkët Punues për shënjimin e vijës kufitare. Kësisoj, pranohet që demarkacioni nuk ka qenë i tillë (shënjim kufiri) por delimitim (kufi i ri) i cili do të ketë nevojë për shënjim të ri.
    5. Thuhet se Trupi i Përbashkët Punues “do të identifikojë dhe adresojë mosmarrëveshjet potenciale”. Pra, do të ketë identifikim e adresim të mosmarrëveshjeve pa garanci për zgjidhje të tyre.
    6. Thuhet se Trupi i Përbashkët Punues “do të rishiqojë dhe korrektojë sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit”. Pra, pranohet që Çakorri dhe Kulla e Zhlepit nuk do të jenë pika kufitare dhe po ashtu nuk përmendet pellgu i lumit Bjelluha.
    7. Deklarata është e ndryshme në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Psh. në versionin shqip mungon pika 6 e cila duke nënvizuar arsyet objektive që kanë pamundësuar nënshkrimin e deritanishëm të marrëveshjes i legjitimon të gjitha veprimet e ndërmarra nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, AAK dhe NISMA për Kosovën në kundërshtimin e kësaj marrëveshjeje.

Deklarata Thaçi – Vujanoviq është mashtrim. Lëvizja VETËVENDOSJE! dëshiron dhe synon marrëveshje të drejtë dhe të vërtetë me Malin e Zi. Ne angazhohemi për marrëdhënie sa më të mira me Malin e Zi me të cilin ndajmë përkushtimin për integrimin në BE dhe NATO.

Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet urgjentisht të formojë Komisionin hetimor parlamentar ku do të shqyrtohet çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Lëvizja VETËVENDOSJE! qysh sot fillon me mbledhjen e nënshkrimeve për këtë inciativë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme