Kuvendi i Kosovës edhe gjatë ditës së sotme do t’i vazhdojë punimet për përfundimin e pikave të pa shqyrtuara.
Në rend të ditës janë tri interpelanca ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj, si dhe propozimi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti.
Seanca do të mbahet me fillim nga ora 10:00.
Rendi i ditës:
I. Vazhdimi i seancës plenare me pikat e papërfunduara më 16, 17, 18, 20 dhe 26 prill 2018:
1. Votimi i Projektligjit nr. 06/L-061 për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë mbi transferimin e personave të dënuar,
2. Votimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e gjashtë (6) anëtarëve të Bordit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit,
3. Votimi i Propozim-Rezolutës nga Debati parlamentar, në lidhje me korrupsionin si kriter për liberalizim të vizave,
4. Votimi i rekomandimeve nga Debati parlamentar, në lidhje me sigurinë e fëmijëve në përdorimin e internetit në Kosovë,
5. Votimi i rekomandimeve nga Interpelanca, në lidhje me reduktimet e ashpra të furnizimit me energji elektrike dhe situatën në sektorin e energjisë,
6. Votimi i Propozim-Rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me Raportin e Progresit për Republikën e Kosovës,
7. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës nr.02/34, të datës 05.03.2018, për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës,
8. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Social Demokrate, në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë “Contour Global” dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit “Kosova e Re” të nënshkruar me 20 dhjetor 2017,
9. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës.
II. Vazhdimi i seancës plenare me pikat e papërfunduara më 3 maj 2018:
1. Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë për Ekstradim,
2. Propozimi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit, znj. Aida Dërguti,
3. Votimi për Formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë të Republikës së Kosovës.