- Sakte.net : 13/10/2016 – 10:51
Punonjësja e Policisë në Sarandë, Jeroldina Iljazi, 25 vjeçe, është gjetur nga gjyshja e saj pa jetë në banesë, pasi ka dëgjuar krismën e armës.
Një plumb në kokë i ka marrë jetën e menjëhershme inspektores së re, e cila kishte vetëm rreth 1 vit e punësuar në Policinë e Shtetit, ku sipas të dhënave ishte e angazhuar në grupin e gatshëm.
“Rreth orës 19:21, një shtetase dyshohet se ka vrarë veten në banesën e saj. Trupi i pajetë i përket shtetases Jeroldina Iljazi, banuese në Sarandë (punonjëse policie me gradën inspektore). Dyshohet se kjo shtetase është vetëvrarë me armën e shërbimit në banesë në dhomën e saj, në lagjen nr.3, Sarandë, për shkaqe ende të paqarta. Sqarojmë se në momentin e kryerjes së krimit, në banesë ka qenë edhe gjyshja e saj”, bëri të ditur Policia e Sarandës.
“Panorama” shkruan se paraprakisht dyshohet se shkak i ngjarjes të ketë qenë gjendja emocionale e ngarkuar e vajzës, për shkak të pamundësisë ekonomike. Ajo ishte e vetmja që punonte në shtëpi.
Nëna e saj, sipas fqinjëve, kishte probleme me depresionin në vitet e fundit, të vetmen punë që ajo arrinte të bënte ishte një peshore në cep të pallatit, ku të mund të peshoheshin kalimtarët. Kjo i sillte vetëm pak të ardhura, derisa një vit më parë e reja arriti të futej në Policinë e Shtetit.
Mësohet se Jeroldina ishte rritur jetime. Babai i saj ishte arratisur drejt SHBA-së që kur ajo ishte në barkun e nënës dhe më pas nuk kishte mbajtur asnjë kontakt me familjen në Sarandë