Veton Surroi i dëshpëruar me Kuvendin, për rastin e Astrit Deharit!

Publicisti Veton Surroi është shprehur i dëshpëruar me Kuvendin e Kosovës, që nuk qe në gjendje të debatoj për rastin e vdekjes së dyshimtë të aktivistit të Vetëvendosjes në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Ai në një shënim në Facebook tha se hetimet zyrtare për vdekjen e Astrit Deharit nuk mund të shërbejnë si çarçaf fshehjeje për Kuvendin e Kosovës, raporton Gazeta Blic.

Shënimi i plotë i Surroit:

Hetimet zyrtare për vdekjen e Astrit Deharit nuk mund të shërbejnë si çarçaf fshehjeje për Kuvendin e Kosovës; çfarëdo që të prodhojnë, nuk do të prodhojnë përgjigje që duhet të japë Kuvendi i Kosovës.

Përgjigjet për Kuvendin e Kosovës mund t’i japin vetëm deputetët llogaridhënës të atij Kuvendi.

Një Kuvend i përgjegjshëm i vendit do të duhej të gjente mendjen dhe forcën për të thënë , pa dallim partiak, së paku kaq:

-se konfliktet politike në vend nuk duhet të përfundojnë me vdekje; ajo e Astrit Deharit duhet të jetë e fundit

-se konfliktet politike të interesit për sovranitetin dhe integritetin e vendit (siç janë negociatatat në Bruksel, Bashkësia e Komunave Serbe, Demarkacioni me Malin e Zi) kërkojnë konsensus e jo mbivotim parlamentar

-se dialogu politik në vend bëhet brenda shoqërisë civile, publikut , Kuvendit dhe Qeverisë; dialogu politik nuk bëhet mes policisë e gjyqësisë dhe të arrestuarve veprimtarë politik

-se vdekja e një njeriu në duart e shtetit mban më vete përgjegjësinë e shtetit

E vështirë qenka për një Kuvend për të konstatuar kaq, aq më shumë kur për këtë ka obligimin Kushtetues të peticionit të mbi njëzet mijë qytetarëve të Kosovës të nënshkruar dhe obligimin moral ndaj humbjes së një jete njeriu si pjesë e konfliktit politik?

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme