VETTING
Duke e valvitur në dorë me krenari dhe mllef të thellë. Pas kaq shumë vitesh mundimesh, ky dokument që e merr në duar si një simbol të drejtësisë që nuk ka ardhur kurrë, duket se do ti kujtoj shtetit se ende është duke pritur pronën.
“Kjo është certifikata që më ka kthyer shteti shqiptar nuk e gëzoj këtë pronë ka 4 vjet”, thotë Ahmet Bilali.
76-vjeçari ka tentuar ta shfrytëzojë atë tokë, por për shkak të konfliktit dhe tensioneve që e kanë shoqëruar atë, askush nuk guxon të afrohet në këtë zonë të nxehtë. Ndërsa ai përpiqet të bëjë të mundur përdorimin e tokës së tij, e gjen veten pa mbështetje. Askush nuk afrohet për të punuar parcelën.
Bilali shton: “Ma sill një traktorist nuk të lejnë kanë heq shtylla vetëgjyqësia.”
Ahmeti, i cili ka shpenzuar vite të tëra duke tundur çdo derë të mundshme, nuk ka lënë asnjë institucion pa e informuar, pa ia bërë të ditur vuajtjet e tij dhe pa i kërkuar drejtësi.
Me çdo hap që ka bërë, ka lëvizur një gur të rëndë për t’i vendosur të gjithë të dijen se prona e tij është e grabitur. Ka dërguar ankesat, ka kërkuar ndihmën, por ende nuk ka gjetur asnjë shenjë shprese. Dhe ndërkohë, ajo çka merr, është heshtje.
“Kam kallëzuar mafien zyrtare të tokave të gjitha pushohen”, tha Ahmet Bilali.
Dhe në vend që prokuroria që këtë person Nush Hotaj e kam kallëzuar, Prokuroria e ka pushuar çështjen Blerta Hamza, prokurorja që ka marr përsipër të legalizoj vjedhjen.
Me ironi dhe zhgënjim i moshuari habitet se si mund ta çonin në dyert e gjykatave teksa sipas tij ka të gjitha dokumentet konform ligjit.
“Të më çojnë në gjykata me dokumente false e Prokuroria të hesht dhe Gjykata të hesht”, shprehet Ahmet Bilali.
I moshuari nuk dorëzohet, as përballë vështirësive të panumërta dhe as përballë dyerve të mbyllura që asnjëherë nuk janë hapur për të. Ai e di se lufta për të drejtën e tij është ende e papërfunduar, dhe do të vazhdojë ta kërkojë deri në frymën e fundit, sepse për të, pronat e tij nuk janë thjesht copë toke, por një pasuri e të drejtës dhe dinjitetit të humbur.
“Me letër ne dorë do ta kërkoj deri sa të vdes”, thotë ai.
Për të vërtetuar që edhe sot e kësaj dite nuk i është zbardhur vendimi, i jemi drejtuar gjykatës së Shkodrës. Por, si para 24 muajsh, asgjë nuk ka ndryshuar. Vendimi fle në dosje duke vonuar drejtësinë dhe mohuar pronën.
“Sa erdha, nga sekretaria e gjykatës më informuan se ende nuk është zbardhur vendimi i gjykatës. Arta Llazari ka 2 vite që nuk zbardh vendimin. Pasi më ka gjykuar 13 vite me dokumente që pala tjetër i ka të falsifikuar që nuk kanë lidhje me mua më mban akoma nuk zbardh vendime i sorollat nuk jep përgjigje”, thotë Ahmet Bilali.
Ahmet Bilali, ka kërkuar tek drejtuesit e gjykatës së shkallës parë Shkodër e më pas edhe në Ministrin e Drejtësisë, që të urdhërojnë gjyqtaren Llazari, për të zbardhur vendimin, por deri më sot nuk ka arritur ta marr. Edhe përse i është drejtuar disa herë Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Bilali nuk ka mundur të gjejë zgjidhje.
Sipas avokatit Llangozi: “Afati ligjor është 20 ditor çdo ditë që kalon është një shkelje ligjore. Në drejtësinë e vjetër një gjyqtar është marr I pandehur për mos arsyetimin e enjë vendimi Aq agresiv ka qënë ligji deri në vitin 2016.”
Vetting i është dërguar me një kërkesë për informacion Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe në kthim përgjigje të saj ka sqaruar se:
“Për sa kërkoni, nga verifikimet e kryera, rezulton se Inspektori i Lartë i Drejtësisë, bazuar në ligjin nr. 96/2016, “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ka vendosur nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates z. A. Ll., me vendimin nr. 731/3 prot., date 16.04.2024”.
Avokati zbulon një detaj shumë të rëndësishëm rreth gjyqtares. Sipas tij po mbahet i fshehur shkarkimi i Arta Llazarit më datë 19 shkurt 2025 për shkak të lidhjeve që ajo dyshohet se ka.
“Kësaj gjyqtare i është kërkuar dorëheqje në datë 19 të këtij muaji nga ILD por me sa kuptohet shkeljet e rënda të saj duan t’i kalojnë në heshtje” shprehet avokati.
Gjyqtarja Llazari ka deklaruar zotërimin e 1/3 e pjesës takuese në një apartament të përfituar nga familja e origjinës me anë të privatizimit, kur ishin katër anëtarë në familje. Në vitin 2005 ajo ka deklaruar prindërit kanë blerë prej vëllait pjesën e tij takuese kundrejt shumës 1 milion lekë, pasi ai është ndarë nga trungu familjar.
Por në vitin 2005 gjyqtarja nuk ka deklaruar burimin e parave për blerjen e pjesës së shtëpisë.
Gjithashtu nuk ka deklaruar burimin e të ardhurave për në blerjen e një sipërfaqe toke 1000 m2 në fshatin Pulaj të Shkodrës në vitin 2005, kundrejt çmimit 3 milionë lekë. Duke hedhur dyshime të arsyeshme se kemi të bëjmë me fshehje, sipas KPP.
Gjyqtarja jetonte në vitin 1990 e në vijim me nënën babain dhe vëllain duke mos deklaruar në mënyrë të qartë kontributet e secilit prej katër anëtarëve të familjes rrjedhimisht as të ardhurat.
Në pasurinë e saj janë evidentuar disa transaksione bankare të kryera nga nëna e subjektit në vitet 2008-2009 në vlerën totale 63 mijë euro, që janë investuar për një periudhë kohe në depozita.
Në vitin 2009 vëllai Bledi Llazari ka hapur një kompani me emërtimin Techno Gas. Objekti i kësaj veprimtarie ishte “Ndertim, projektim, zbatim te ndërtimeve civile, industriale, hidroteknike, turistike, bujqësore, prodhim dhe shpërndarje te energjisë elektrike me ane te ujit, erës, gazit, energjisë diellore te” por në 3.06. 2010 kjo kompani pezullohet, duke i lënë vendin një tjetër kompanie.
Bledi Llazari ka në pronësi një tjetër kompani “Kostandini Group” me 75% të aksioneve, ndërsa ortaku tjetër Alfred Mulaj është me 25% të aksioneve. Kjo kompani është themeluar në vitit 2009, me objekt “Tregtimi me shumice e pakice i artikujve të ndryshëm të konsumit të gjere industriale, ushqimore, materiale ndërtimi, pajisje elektroshtepiake e hidrosanitare, makineri e pajisje të ndryshme.”
Në total, nëpërmjet kësaj kompanie në Gjykatën e rrethit Shkodër, Prokurorinë e rrethit Shkodër, Bashkinë etj, Kostandini Group ka përfituar për periudhën 2019-2025 nga tenderat më shumë se 100 milion lekë. Tenderat janë marrë nga institucioni i gjykatës, ku e motra punonte dhe vazhdon të punojë si gjyqtare.